Austria thotë se është gati të zbusë masat kufizuese anti koronavirus duke filluar që nga 14 prilli.

Lajmi është konfirmuar nga vetë kancelari Sebastian Kurz, i cili saktësoi se vendimi do të varet nga mënyra në të cilën qytetarët do të vazhdojnë të ndjekin rregullat e distancimit social. Objektivi është që sa më parë, të mund të rihapen dyqanet e vogla dhe deri tek lokalet me sipërfaqe 400 metra katror ndërsa në mes të majit të kalohet tek restorantet, hotelet dhe shkollat.

Rihapja e njësive të mëdha, si dyqane informatike etj, do të duhet sidoqoftë të bëhet nën kushte të rrepta sigurie; duhen mbajtur maska dhe duhen higjenizuar ambjentet, por edhe duke lejuar një numër të kufizuar klientësh për dyqan. Kancelari Kurz ka thënë po ashtu se kalendari i qeverisë do të vazhdojë sipas planeve.

Dyqanet më të mëdha mund të hapen nga 1 maji dhe nga mesi i majit edhe hotelet, restorantet dhe shërbimet e tjera mund të kthehen gradualisht në normalitet. Kufizimet e lëvizjeve do të mbeten sidoqoftë në fuqi, ka kujtuar Kurz, duke ftuar austriakët të mos festojnë pashkët me njerëz jashtë shtëpive të tyre.

Shkollat do të mbeten të mbyllura deri në mes të majit ndërsa eventet publike do të jenë të ndaluara deri në fund të qershorit. Në Austri, vend me 8.8 milionë banorë, numërohen 12058 raste të konfirmuara të koronavirusit, 204 viktima dhe 2998 të shëruar.

Top Channel