Një tjetër rekord i trishtë vjen nga SHBA për koronavirusin. Sipas universitetit John Hopkins, kanë humbur jetën 1150 persona në 24 orë, për një total që shkon në kuotën e 10783 viktimave.

Ndërsa të prekurit janë mbi 366 mijë. Pavarësisht këtyre të dhënave, presidenti Donald Trump vazhdon të shfaqë optimizëm: Do të dalim nga kjo krizë me më shumë forcë, unitet dhe vendosmëri”, ka thënë ai gjatë konferencës së përditshme të shtypit për koronavirusin duke lënë shtuar se SHBA do të rihapet më shpejt nga sa njerëzit mund ta mendojnë.

Ai ka përsëritur se kjo do të jetë një javë e ashpër, por se ka një dritë të jashtëzakonshme në fund të këtij tuneli. Presidenti amerikan Donald Trump thotë se SHBA ka administruar 1.790.000 teste koronavirusi, më shumë se çdo vend tjetër në botë.

“Kur bën teste ke edhe raste, përndryshe nuk do të dije asgjë nëse ka të infektuar. Njerëzit qëndrojnë në shtëpi dhe ti nuk di asgjë. Por ne kemi bërë 1,790,000 teste në të gjithë vendin. Më shumë se çdo vend tjetër në botë. Ndaj ne kemi edhe më shumë raste”.

Por ndërkohë, nga Cikago mbërrijnë statistika të zymta që tregojnë se koronavirusi po rëndon më shumë mbi amerikanët me ngjyrë. Banorët me ngjyrë të Cikagos përbëjnë gjysmën e të gjitha rasteve të koronavirusit në qytet dhe më shumë se 70 për qind të numrit të viktimave, pavarësisht se janë rreth 30 për qind e popullatës së qytetit.

Të tjera qytete me popullata të mëdha me ngjyrë, përfshirë Detroitin, Miluokin, Nju Orlinsin dhe NNju Jorkun, janë bërë zona të nxehta të koronavirusit. Edhe pse koronavirusi është quajtur eleminuesi i madh, të dhënat sugjerojnë se vulnerabiliteti ndaj infeksionit mund të ndryshojë nga zona në zonë.

Në Micigan, afro amerikanët përbëjnë 14 për qind të popullatës, por numërojnë 33 për qind të rasteve të koronavirusit dhe 41 për qind të viktimave. Ndërsa të bardhët, zënë 23 për qind të rasteve në Micigan dhe 28 për qind të viktimave.

Top Channel