Gëzim në Zelandën e Re! Lepuri i pashkëve, jo në “izolim”

06/04/2020 18:37

Një lajm që do ti gëzojë padyshim shumë fëmijët në izolim, në Zelandën e Re. Lepurushi i pashkës do të jetë në punë këto pashkë dhe kjo është konfirmuar nga vetë kryeministrja, Jacinda Ardern.

Në një konferencë për shtyp, kryeministrja sqaroi se lepurushi i pashkëve dhe zana e dhëmbëve janë punonjës të domosdoshëm dhe kryejnë shërbime të domosdoshme dhe si të tillë, do të mund të vazhdojnë punën edhe gjatë izolimit. Kështu, lepurushi i pashkës lejohet të dalë nga strofka e tij dhe të vizitojë shtëpitë në Zelandën e Re. Sidoqoftë, ka një shans që ai të mos mund ti vizitojë të gjitha ato.

‘’Do të gëzoheni të dëgjoni se ne e konsiderojmë si zanën e dhëmbëve, ashtu edhe lepurushin e pashkës, punonjës të domosdoshëm. Sic mund ta imagjinoni, në këtë periudhë ai është shumë i zënë…dhe unë i them fëmijëve të Zelandës së Re; nëse lepurushi i pashkës nuk do të mund të vijë në shtëpinë tuaj, duhet ta kuptoni se është një moment i vështirë për të dhe të gjithë ne’’.

Por, kryeministrja ka sugjeruar që në vend që fëmijët të presin lepurushin në shtëpinë e tyre, të krijojnë një gjueti vezësh pashke, në shtëpinë e tyre, për fëmijët e e lagjet e tyre. Ndoshta duke vendosur një vezë pashke në dritare në mënyrë që fëmijët e tjerë ta gjejnë. Ardern madje më pas ka postuar vetë një vezë pashke duke i kërkuar fëmijëve që ta ngjyrosin atë…Gjithcka që duhet të bëni është ta ngjyrosni dhe ta dekoroni, ta vendosni më pas në dritaren tuaj, në mënyrë që fëmijët e tjerë ta gjejnë. Do të dëshiroja shumë të shikoja vizatimet tuaja”, shkruan ajo. Ajo ftoi madje artistët e vegjël që vizatimet tia dërgonin asaj me e-mail ose ti ndanin në mediat sociale nën hashtagun, NZEggHunt.

Top Channel