Kurti: Disa politikanë në Prishtinë e Beograd duan konflikt në veri të Ibrit

05/04/2020 16:26

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga qytetarët që t’i marrin me rezervë deklarimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Përmes një video-mesazhi, Kurti ka thënë se ka politikanë e zyrtarë në Prishtinë dhe Beograd që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit, duke provokuar incidente.

“Tash duan konfikte e gjakderdhje ne terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial përkatësisht te ndarja e Kosovës. Krejt njëjtë është edhe ajo intenca për të shpallur Gjendje të Jashtëzakonshme me çdo kusht e çmim. Pasi që nuk arriten ta shpallin për ta bërë, duan ta bëjnë për ta shpallur”, ka thënë Kurti.

Të shtunën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kritikuar qeverinë në detyrë duke thënë se ajo është e papërgjegjshme karshi situatës së krijuar me pandeminë në veri të Kosovës.

Dy komuna të veriut, Mitrivica e Veriut dhe Zveçani, janë vendosur në karantinë dhe kjo, sipas Thaçit është bërë jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë COVID-19, duke iu krijuar kështu hapësirë ilegale vepruese autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tonë”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.

Mirëpo zyrtarët e qeverisë në detyrë kanë instistuar se vendosja në karantinë e këtyre dy komunave është bërë në koordinim zyrtar më Ministrinë e Shëndetësisë dhe bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se është ministria e Shëndetësisë ajo që ka shpallur karantinën në dy komunat me shumicë serbe.

“Ne e dimë se Serbia ka pretendime ndaj shtetit tonë të pavarur të cilin ajo nuk e njeh. Ne e dimë se ajo merr edhe veprime kundër institucioneve tona, posaçërisht në veri. Të gjitha këto ne i raportojmë të KFOR-i dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë. Ne veprojmë e sillemi me kujdes, sidomos në këtë kohë kur askush nuk mund të ketë prioritet tjetër përveç shëndetit publik”, ka thënë Kurti./REL

Top Channel