Edhe pse ka lindur foshnjën më shumë se një javë më parë, Vanesa Muro, ka mundur ta përqafojë të birin, Oliverin, për të parën herë vetëm tani.

Pasi rezultoi pozitive për Covid 19, 34 vjeçarja lindi në kulmin e epidemisë së koronavirusit në Spanjë. Ajo dhe bashkëshorti u ndanë menjëherë nga foshnja, për një periudhë izolimi 10 ditore.

‘’Përshëndetje, kampion…më në fund po shkojmë në shtëpi’’.

Kur ishte 37 javëshe shtatzënë, Vanesa zbuloi se ishte prekur nga koronavirusi dhe e kishte marrë atë nga gjyshja e saj, që më vonë humbi edhe jetën. Vanesa e lindi Oliverin me operacion ndërsa bashkëshorti, edhe ai i infektuar, u detyrua të qëndronte në shtëpi.

Pas dy testesh negative për mamin dhe babin, dhe foshnjën që nuk tregon simptoma, prindërit e rinj më në fund kanë mundur ta takojnë fëmijën e tyre të parë.

‘’Ishte sikur ai të lindte për së dyti atë ditë’’.

‘’Ne nuk e njihnim atë. Kishim parë foto, video, por nuk është e njëjta gjë’’.

Kur lindi, Oliveri u vendos menjëherë në inkubator, i izoluar nga fëmijët e tjerë, ndërsa rezultatet e testeve të cilëve i ishte nënshtruar, nuk kishin mbërritur ende. Vanesa nuk mund ta mbante në krahë dhe as ta ushqente me gji.

Top Channel