SHBA: Kufizimet e vizave pengojnë mjekët imigrantë të ndihmojnë me koronavirusin

04/04/2020 04:43

Në një kohë kur sistemi shëndetësor amerikan është i sforcuar në maksimum dhe shtetet e veçanta po thërrasin profesionistë të shëndetësisë me urgjencë, shumë mjekë imigrantë thonë se nuk ndihmojnë dot për shkak të kufizimeve të vizave që vazhdojnë të jenë në fuqi gjatë pandemisë së koronavirusit.

Duke folur me Zërin e Amerikës nga Logan i Virxhinias Perëndimore, Doktori indian Rama Krishna Yalamanchili tha se mjekët imigrantë po trajnohen në Shtetet e Bashkuara dhe janë të gatshëm të japin kontributin e tyre në një kohë kur Amerika ka nevojë urgjente, por shumë prej tyre janë të kufizuar ligjërisht.

“Unë jam këtu me vizë pune H1B…. jam i autorizuar të punoj në një spital shumë specifik dhe me një specialitet shumë të veçantë. As në spitalin tim nuk punoj dot përveçse në specialitetin tim”, thotë Dr. Yalamanchili. Ai është një nga mijëra doktorët e huaj që punojnë në Shtetet e Bashkuara me viza të përkohëshme. Ai është i specializuar për organet e brendshme.

“Dua të ndihmoj aty ku ka nevojë, gjatë ditëve të pushimit”, thotë ai. Profesionistër si dr. Yalamanchili mund të ndryshojnë punë ndërsa jetojnë në SHBA, vetëm nëse aplikojnë që t’ua ndryshojnë drejtimin vizave. Por agjencia e imigracionit, ka reduktuar pjesërisht shërbimet dhe i ka mbyllur zyrat për publikun deri më 3 maj.

Avokati i imigracionit, Greg Siskind tha se kufizimet për mjekët janë rreptësisht të përcaktuara nga programi i tyre, që mbikqyret nga Departamenti i Shtetit dhe Komisioni Arsimor për Mjekët e Huaj. “Ata kanë vendosur shumë rregulla përsa i takon vendeve ku lejohen të punojnë, sa orë dhe të gjitha duhen miratuar”, thotë avokati Siskind.

Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump, nuk iu përgjigj një pyetjeje të Zërit të Amerikës lidhur me heqjen e kufizimeve të vizave për mjekët imigrantë.

Javën e kaluar, Shoqata Amerikane e Mjekësisë i bëri thirrje administratës së Presidentit Trump që “të marrë hapa kritike për të zgjeruar numrin e mjekëve për të plotësuar kërkesat në rritje për sistemin shëndetësor amerikan gjatë pandemisë së Covid-19”. Shoqata u kërkon zyrtarëve që të nxjerrin një deklaratë publike ku të konfirmohet që mjekët imigrantë të lejohen brenda kushteve të kontratës së tyre, që të kryejnë turne sipas nevojave të pandemisë./VOA

Top Channel