Ralf Gjoni: Qeveria të ndihmoj mediat, nëse s’ndodh, para të pista do derdhen tek portalet

04/04/2020 19:46

Ralf Gjoni deputet i opozitës në një intervistë dhënë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu, i bashkohet qëndrimeve se qeveria duhet të ndihmojë mediat.

“Në kontekstin aktual ku të gjitha shtresat e popullsisë sidomos sektori privat kanë nevojë për ndërhyrje imediate nga qeveria për të garantuar pjesërisht pagat minimale për të garantuar jetesën gjatë këtij muaji unë mendoj se edhe sektori medias ka nevojë për një paketë speciale. Jo vetëm gazetarët, operatorët dhe punonjësit e tjerë të medias kanë nevojë për një garanci financiare për të mbyllur muajin dhe këtë garanci nëse nuk ia ofron media private duhet t’ja ofrojë qeveria dhe shteti”.

Një mosreagim nga qeveria në mbështetje të medias sipas Ralf Gjonit krahas rrezikut të pagave të gazetarëve do të prodhojë edhe një tjetër zhvillim.

“Nëse media tradicionale dhe cilësia gazetareske në vend vendoset në rrezik për shkak të Koronavirus do të hapet hapësirë e panevojshme për ato grupe mediatike dhe portale që financohen nga burime të dyshimta lindore ndoshta ruse apo edhe vende të tjera armiqësore me Shqipërinë të cilat nuk do të hezitojnë të pompojnë para të pista nga jashtë për të përhapur fake news. Pra mos ndihma e miratimit nga qeveria e një pakete ndihmuese lehtësuese për gazetarët shqiptarë dhe mediat tradicionale të njohura në vend do të cenonte rëndë cilësinë e informimit dhe të lajmeve që përcillen tek qytetarët shqiptarë”.

Deputeti Gjoni ka një apel të drejtpërdrejtë për qeverinë.

“Nëse qeveria nuk ofron garanci për sektorin privat ku në këtë rast futet edhe media atherë kjo qeveria quhet e mbaruar përpara qytetarëve të saj.

Unë përfitoj nga rasti që jam me ju online ti bëj një thirrje kryeministrit Rama. Reflekto sa nuk është vonë. Fillo dhe mendo për sektorin privat. Nuk e mban biznesi vogël një vend në këmbë e mban biznesi mesëm e i madh dhe rrogat në të gjithë sektorin privat përfshi këtu gazetarët duhet të jenë minimalisht të garantuara nga qeveria. Nëse nuk ka para shkon e kërko në BE dhe Amerika nëse nuk arrin dot dhe nuk je në gjendje të mbash vendin në këmbë në këto kohë të vështira atëherë ti je një kryeministër e qeveri e paaftë për të menaxhuar vendin në kohë krize e si e tillë nuk meriton të jesh më në pushtet. Këtë do trajtojmë shumë shpejt në parlament se edhe parlamenti duhet të ngrihet e të flasë për këto gjëra e jo të fshihet si zyrë noteriale prapa progandës dhe makinerisë së propagandës së Edi Ramës”.

Top Channel