Editorial/ Xhepi apo shëndeti? Lirimi i masave shtrëngues rrezikon të shpërthejë në masë CoVid-19 në Shqipëri

04/04/2020 13:45

Teksa në Shqipëri numri i viktimave të shkaktuara nga koronavirusi ka shkuar në 18, ndërsa të prekur deri më tani janë 333, vihet re se në çdo qytet të vendit po lehtësohen masat e karantinës gjë që mund të çojë në një fatalitet të vërtetë.

Nga vëzhgimet e bëra shihet se lëvizjet e këmbësorëve dhe makinave janë shtuar në çdo qytet duke u kthyer në një burim potencial i përhapjes në masë të CoVid-19. Kjo ka ardhur edhe nga toleranca e bërë herë pas here nga polica.

Por a është gati Shqipëria që të lehtësojë masat e Covid-19 në një kohë ku numri i infektimeve sa vjen e rritet? Në të gjithë Evropën po vajtohen mijëra viktima që mund të ishin “kursyer” nëse do të merreshin masat në kohë dhe nëse do të ishin zbatuar.

Shqipëria është një nga vendet me masat më të rrepta për sa i përket frenimit të përhapjes së koronavirusit por së fundmi kryeministri i vendit Edi Rama premtoi lehtësim masash javën e ardhshme dhe mesa duket i ka “shkelur syrin” policisë që kjo e fundit t’i mbyllë sytë për shkeljen e masave nga qytetarët.

Kjo është e kuptueshme për shkak të presionit të ekonomisë që po bie përditë, ku me qindra mijëra vende pune janë në rrezik dhe shumë paga janë reduktuar çka ka ulur konsumin duke e tkurrur buxhetin publik dhe atë familjar. Natyrisht në këto kushte një rikthim në punë i pjesshëm siç edhe është paralajmëruar sidomos në zona më të pa prekura nga CoVid-19 dhe në fshat do ishte një zgjidhe për ti dhënë oksigjen ekonomisë por nëse rastet e infektuarve shtohen në këtë masë pra në afro 30 në ditë rrezikojmë që lehtësimi i masave të kthehet në kërcënim për shëndetin dhe sidomos sistemin spitalor. Pra ndoshta po futemi në një faze të re të karantinës kur duhet të vetëkufizohemi sepse javët e ardhshme të prillit siç mund të jenë me të favorshme po aq mund të jenë edhe më të rrezikshme. Për momentin lehtësimi i masave duket larg në kushtet kur qytete si Shkodra po kthehen në vatra të mëdha të koronavirus dhe kur gjeografia e infeksionit po zgjerohet.

Duke parë lirshmërinë e lëvizjeve të sotshme nëpër qytetet që janë ngrohur nga pranvera nuk duket sikur virusi po tërhiqet por sikur njerëzit po nxitojnë për tu infektuar nga padurimi për të punuar dhe komunikuar. Në këtë dileme dhe delikate mes ekonomisë dhe mjekësisë apo mes xhepit dhe shëndetit mbetet të shihet se si do reagojë qeveria në ditët e ardhshme. Fatkeqësisht sinjalet që vijnë nga vendet më të zhvilluara nuk ndihmojnë në këtë krizë kur në gjithë botën janë me shumë se 1 milion të prekur dhe kur ekonomitë e zhvilluara po e shtyjnë pa afat ditën e hapjes nga karantina.

Top Channel