809 persona të tjerë kanë humbur jetën dhe 7026 janë infektuar me koronavirusin në Spanjë 24 orët e shkuara.

Si rezultat, një total prej 11744 personash kanë humbur jetën që nga shpërthimi i virusit në vend ndërsa numri total i rasteve ka shkuar në 124736, dhe është kjo shifër më e lartë edhe se ajo në Itali. Pavarësisht këtyre shifrave të hidhura, ka shpresë në Spanjë se epidemia po stabilizohet. Kjo është dita e dytë radhazi në të cilën numri i viktimave shënon rënie dhe është edhe hera e parë në tre ditë që numri i viktimave ka rënë nën 900. Numri i infektimeve të reja po ashtu është më i ulët se shifra e raportuar të premten, 7472.

Dhe ky buletin duket se mbështet deklaratat e ministrit spanjoll të shëndetësisë, më herët këtë javë, që tha se epidemia në vend po arrinte pikun e saj. Spanjollët kanë kaluar tashmë tre javë në izolim me një ndalesë të të gjithë daljeve në rrugë, përveç atyre të domosdoshme, dhe me pjesën më të madhe të bizneseve të mbyllura. Kryeministri Pedro Sanchez, ka bërë të ditur ndërkohë se masat që janë aktualisht në fuqi, do të shtyhen edhe për dy javë të tjera, të paktën deri më 26 prill.

Edhe në vende të tjera të Evropës ndërkohë, shifrat janë shqetësuese. Në Holandë, numri i viktimave është rritur nga 164 në 1651. Instituti gjerman i shëndetit, Robert Koch, e ka përcaktuar këtë vend si një zonë ndërkombëtare e rrezikuar, bashkë me fqinjët e tjerë si Austria dhe Zvicra ose edhe vende të tjera si Britania e Madhe. Belgjika ka shënuar një rritje me 140 viktima në 24 orët e shkuar dhe numri total i tyre që nga fillimi i epidemisë është 1283.

Top Channel