Më shumë se një milionë njerëz nëpër botë janë diagnostikuar me Covid 19. Bilanci i vdekjeve në mbarë globin kapërceu 51,000.

Gati 208,000 pacientë janë shëruar. Vetëm në Spanjë, të enjten bilanci i vdekjeve shkoi në më shumë se 10 mijë. Italia numëron rreth 14 mijë jetë të humbura. Për nga shtrirja e sëmundjes, vendi më i goditur rezulton SHBA-ja.

Si u mbërrit deri në këtë pikë? Ajo që do të niste si një epidemi lokale, sot kërcënon shëndetin e njerëzve në mbarë botën dhe vetë ekonominë e saj. Gjithçka filloi me disa vdekje në Wuhan të Kinës. Rastet e para atje thuhet të jenë shfaqur 17 nëntorin e vitit 2019. Në kohën kur autoritetet kineze ia raportuan zyrtarisht situatën OBSH-së, sëmundja po shtrihej me një ritëm frikësues. Nga Wuhani, virusi mori kohë të ndryshme për të mbërritur kufijtë e vendeve të tjera, duke u varur shumë nga afërsia apo lidhjet e tyre me qytetin kinez.

Edhe brenda vetë popullatave, virusi nuk u përhap me të njëjtën shpejtësi. Shtrirja e epidemisë ishte në varësi të një sërë faktorësh siç janë ata kulturorë apo të sjelljes në komunitet, dendësisë së popullsisë etj. Niveli i përgatitjes së vendeve të ndryshme gjithashtu si dhe përgjigja e tyre ndaj krizës, nuk qe i njëjtë. Japonia, Koreja e jugut dhe Shtetet e Bashkuara i konfirmuan rastet e veta të para me Covid 19 gati tre javë pas shpërthimit në Kinë. Singapori dhe Franca i patën rastet e tyre në ditën e 23 dhe të 24-të të shfaqjes së sëmundjes.

Në Indi, infeksioni hyri, të paktën zyrtarisht, 29 ditë pas shpërthimit të epidemisë, që do të thotë pothuajse në të njëjtën kohë me Italinë, Britaninë e Madhe e Belgjikën. India e nisi shpejt distancimin social, ndërsa në Itali grumbullimet publike vazhdonin, përfshirë këtu dhe ndeshjet e futbollit. Rezultati ishte që në 29 mars, India numëronte 1000 raste të konfirmuara, ndërsa Italia, 97 mijë. Spanja ku virusi u shfaq pak a shumë në të njëjtën kohë, e që po ashtu e vonoi karantinën, shënonte në fund të marsit 80 mijë të infektuar.

Top Channel