​Koronavirusi është një fjalë e ndaluar në këtë vend! Policia arreston njerëzit me maska

02/04/2020 16:56

Turkmenistani ka ndaluar mediat të përdorin fjalën koronavirus, raportojnë mediat e huaja.

Sipas një deklarate nga Gazetarët Ndërkombëtarë të Lirisë së Mediave pa Kufij (RSF), fjala koronavirus gjithashtu është hequr nga broshurat shëndetësore të shpërndara në shkolla, spitale dhe kompani.Shteti i pasur i Azisë Qendrore, i cili kufizohet me Iranin, nuk ka raportuar asnjë infeksion deri më tani, me më shumë se 44.000 të infektuar në Iranin fqinj.

Reporterët pa Kufij, me seli në Paris, thonë se ndodh që policia civile të arrestojë njerëz që mbajnë maska ose diskutojnë për koronavirus. Qytetarët e Turkmenistanit kanë qasje në vetëm informacione të njëanshme dhe të pakta në lidhje me pandeminë e koronavirusit, dhe autoritetet thonë se asnjë rast i infeksionit nuk është raportuar në vend.

Më 13 mars, presidenti Gurbanguli Berdimuhamedov, lëshoi një urdhër që hapësirat publike të spërkaten me bimën tradicionale Harmala, e cila supozohet se është masë mbrojtëse kundër epidemisë.

Turkmenistani renditet i fundit në listën e indeksit të lirisë së shtypit 2019 të botuar nga Reporterët pa Kufij dhe është vendi më i mbyllur në botë. Qeveria kontrollon të gjitha mediat vendase dhe ka vetëm një pjesë të vogël të përdoruesve të internetit të cilët mund të hyjnë vetëm në versionin shumë të censuruar të rrjetit, zakonisht në kafene ku duhet të tregojnë së pari identitetin e tyre.

Top Channel