Një dekret i ri qeveritar në Itali e shtyu deri në 13 prill mbylljen e shkollave, dyqaneve dhe bizneseve jo thelbësore.

Çdo aktivitet i lejuar duhet të zhvillohet në të paktën 1 metër distancë, e duke mbajtur mundësisht edhe maskën. Kush hyn nga jashtë në vend, e ka të padiskutueshme karantinën 14 ditore. Me 13 mijë vdekje e mbi 110 mijë infektime, situata në Itali duket e dëshpëruar.

Por kur mund të mbarojë makthi për vendin fqinj?

Huffington Post citon një studim sipas të cilit, në Itali epidemia parashikohet të fashitet nga fundi i prilli, fillimi I majit. Parashikimin e bën Einaudi Institute for Economics and Finance (Eief), që mbështetet në bazën e të dhënave të Mbrojtjes Civile italiane, e cila sipas kërkuesve mund të mos e ketë për çdo rast të plotë shifrën e personave të prekur.

Dita e “infektimeve zero”, sipas studimit, gjithmonë në bazë të informacioneve që disponojnë aktualisht mund të jetë 5, 9 ose 16 maj. Parashikimet sakaq ndikohen nga diferencat e dukshme të rritjes nga një rajon në tjetrin: sipas skenarit më optimist, në Liguria, Basilicata dhe Umbria, infektimet e reja mund të zhduken që në 6 prill dhe në Sicili, Veneto e Piemonte në mes të prillit.

Më pas vjen Lombardia dhe Emiglia Romagna, e sipas kërkuesve, Toskana supozohet të jetë e fundit në maj që do të mbërrijë kuotën zero.

Top Channel