Në konferencën e përditshme për shtyp lidhur me koronavirusin, Presidenti Donald Trump e pranoi se rezervat kombëtare të pajisjeve mbrojtëse që përdorin mjekët dhe infermierët për t’u mbrojtur nga COVID-19 pothuajse kanë përfunduar.

Pohimi i tij erdhi në kohën kur Shtetet e Bashkuara shënuan mbi 900 të vdekur, numri më i lartë i viktimave nga virusi brenda një dite. SHBA-ja ka tani numrin më të madh të të prekurve nga koronavirusi në botë mbi 209 mijë, ndërsa të vdekurit kanë arritur në mbi 4,600.

Në Nju Jork, epiqendra e virusit në Amerikë, guvernatori Andrew Cuomo tha se mund të mbërrihet deri në 16 mijë të vdekur nga epidemia.Deri tani në shtetin e Nju Jorkut ka gati 84 mijë të infektuar. Të vdekurit janë afro 2 mijë.

Trump tha se administrata e tij po konsideron kufizime të mëtejshme për udhëtimet e brendshme “mes pikave të nxehta”, në përpjekje për të luftuar epideminë. Por ai e refuzoi idenë e një urdhri mbarëkombëtar për ndaluar lëvizjet në Shtetet e Bashkuara. Disa shtete po veprojnë ngadalë, Trump tha se duhet një fare fleksibiliteti pasi në disa shtete gjendja nuk është edhe aq e rëndë. Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë se pa masa të forta, deri në 240 mijë amerikanë mund të vdesin nga koronavirusi.

Top Channel