Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka reaguar përmes një sqarimi publik, pasi PD paralajmëroi se do të dorëzojë kallëzim penal ndaj të gjithë institucioneve të përfshira në tenderin 1.5 milionë eurosh për kompaninë e ushqimeve.

Enkelejd Alibeaj tha se tenderi 1.5 milionë euro për kompaninë “Eurovia shpk” që shpërndan ushqimet për familjet në nevojë, tregon se Rama dhe Xhaçka favorizojnë miqtë e tyre.

“Kam dëgjuar këto dy ditë akuzat e opozitës në adresë të ministrisë që drejtoj mbi blerjen e disa mallrave ushqimore për Rezervat e shtetit, jetike për situatën e emergjencës që po kalon vendi. Nuk do kisha dashur të fokusohesha asnjë minutë nga puna që bëjmë për të sqaruar shpifësit e rradhës, por më duhet ta them që jam e habitur, madje e trishtuar për nivelin, në të cilin ka degraduar opozita e “Babaleve”. Sot në mes të një lufte dhe përballë një armiku që po na rrezikon të gjithëve, ka njerëz, si këta regjizorët e “Babales” që kanë luksin të merren me inskenime të ulëta me qëllimin e vetëm përhapjen e panikut dhe hedhjen baltë mbi një operacion humanitar, që ndodh 24 në 24, që nga dita e parë e emergjencës, i paprecedentë për ne e për vende më të zhvilluara nga ne, i cili po u vjen në ndihmë mbi 600.000 familjeve e qytetarëve në nevojë në çdo cep të Shqipërisë”, u shpreh Xhaçka.

Më tej shtoi:

“Fakti që këto akuza të pavërteta vijnë ekzaktësisht në këtë kohë e bëjnë edhe më të turpshme këtë sjellje të ulët të këtyre opozitarëve të pashpresë. Besoj që është një rast unik në botë, që në një periudhë të paprecedentë emergjence botërore, kur një parti opozitare, që deri pak vite më parë ka qenë në krye të punëve të vendit, e që pretendon të jetë alternativë qeverisëse, jo vetëm që nuk tregon solidaritet, jo vetëm që nuk na bashkohet të na ndihmojë, por përpiqet në mënyrë aktive të sabotojë duke përhapur panik, duke hedhur lloj-lloj shpifjesh e akuzash nga të më çmendurat. I keni dëgjuar besoj? Kryeministri ka bërë koalicion me koronën, i keni mbyllur njerëzit brenda sepse jeni autoritarë, s’ka bukë, s’ka pajisje, çuat mjekë e infermierë të paçertifikuar në Itali, e sa e sa të tjera si këto. Nuk e di. Sinqerisht nuk arrij dot ta kuptoj sesi mund të kenë aq shumë helm e ligësi brenda vetes sa ta përjetojnë si humbje personale e ta vuajnë si disfatë politike faktin që deri më sot ia kemi dalë ta mbajmë kurbën e infeksioneve të ulët, faktin qe po u gjendemi 600.000 familjeve e qytetarëve, apo faktin që ata 30 mjekë e infermierë na bënë të ndihemi aq krenarë në sytë e të gjithë botës.

E kuptoj që s’bëjnë gjë për të ndihmuar. E kuptoj që asnjë nga këta zotërinjtë nuk ka marrë mundimin të vijë të çojë një qese me ushqime a ilaçe tek një pensionist. E kuptoj edhe që të vetmit doktorë në këtë vend që s’po lëvizin as gishtin për të ndihmuar, kur kolegët e tyre po përballen me infeksionin në vijën e parë të frontit, janë doktorët politikanë të opozites. Por kjo është zgjedhja dhe turpi i tyre. Por që të jenë aq të papërgjegjshëm e aq të pamoralshëm sa fitoren e kësaj lufte ta shohin si fitore të qeverisë e të sulen me të gjitha bateritë e shpifjes e baltës për të sabotuar rezistencën ndaj epidemise nga frika se mos fiton pikë qeveria, kjo është kriminale. Ne jemi çdo ditë në krye të organizimit për të mbështetur familjet e qytetarët në nevojë. Prindër jemi edhe ne, fëmijë kemi edhe ne, edhe ne merakosemi për shëndetin e tyre e tonin dhe do donim të rrinim të sigurt në shtëpi, t’i ndiqnim gjërat nga televizori e t’i komentonim nga facebook-u. Por jemi në punë! Na është ngarkuar një detyrë dhe po e bëjmë. Me shumë modesti se nuk po bëjmë asnjë heroizëm. Bashkë me 20.000 burra e gra, djem e vajza të angazhuar në këtë operacion të madh solidariteti po bëjmë detyrën që asnjë qytetar mos mbetet pa ndihmën dhe mbështetjen që i takon.

Ama është e tepërt që në një situatë si kjo, përveç se duhet të ruhesh nga Covidi të të duhet të përballesh edhe me “Babalet” me shokë në këtë nivel papërgjegjshmërie dhe ligësie. Tani dy fjalë për procedurën. Në një rast tjetër, nuk do kisha harxhuar asnjë moment për t’ju dhënë një debati akuzash të pavërteta që na shfokuson nga puna që po bëjmë. Por në respekt të qytetarëve dhe në respekt të të gjithë atyre njerëzve që po punojnë në prapavijë për të bërë të mundur që kategorive në nevojë të mos u mungojnë ushqimet bazë gjatë këtyre ditëve të vështira, në një emergjencë mbarëbotërore, ndihem e detyruar të jap disa sqarime. Si fillim, e inkurajoj opozitën të mos bëjë politikë, por ta referojë çështjen sa më shpejt tek organet e drejtësisë që të sqarohet sa më shpejt duke dalë e vërteta siç ka dalë me çdo gjë të inskenuar nga regjizorët e “Babales”. Procedura e prokurimit të ushqimeve të Rezervave të shtetit është bërë në përputhje të plotë me përcaktimet ligjore dhe aktet nënligjore që krijojnë mundësinë e blerjes me afate të përshpejtuara pikërisht për të përballuar situata ekstreme të shkaktuara nga gjendja e fatkeqësisë. Në datë 24 mars u bë efektiv vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 236 dhe u ngrit mekanizmi për asistencën sociale ndaj shtresave në nevojë. Ndërkohë, po në 24 mars, në të njëjtën ditë u miratua me VKM vendosja e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë. Në kushtet e fatkeqësisë së shpallur dhe me ngritjen e mekanizmit humanitar për ndihmat ushqimore për kategoritë në nevojë, Ministria e Mbrojtjes në mënyrë urgjente në datë 25 mars, pas 24 orësh, hapi sipas ligjit procedurën e blerjes së këtyre mallrave. Pra, brenda 24 orëve të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë.

Në vijim dhe në përputhje me të gjitha rregullat e prokurimit për situata të tilla, në datë 26 mars komisioni hapi ofertat dhe në datë 27 shpalli fituesin. Në rast se e ka harruar, i kujtoj Lulzim Bashës se është procedurë  krejt e ligjshme dhe e njohur, e detyrueshme në rrethana emergjence dhe e përdorur edhe nga ai vetë, dikur ministër në raste emergjencash shumë herë më të vogla dhe të lokalizuara se kjo siç ishte përmbytja e asaj kohe. Pra, nuk është pritur as javë e as muaj, por është bërë të nesërmen e shpalljes së gjendjes së fakteqësisë siç e do edhe logjika e këtyre procedurave urgjente dhe ishte kjo punë pa orar dhe këto procedura në përputhje me ligjin pa humbur kohë të çmuar që bënë të mundur furzimin pa ndërprerje të operacionit të ndihmës. Këta që i bren meraku i madh për popullin i ftoj të heqin pizhamet, të ngrihen nga divanët, të lënë telekomandat, telefonët e fejsbukun e të vijnë të na ndihmonjë në terren, atje ku nevoja është e madhe. I pajisim ne me maska e doreza, se për shkak të asaj punës urgjente brenda 24 orëve, jo me zvarritje javësh e muajsh, por brenda 24 orëve, si në shumë pak vende, ushtarakëve dhe vullnetarëve tanë nuk u munguan asnjë ditë masat mbrojtëse. Përfytyroni të kishte munguar qoftë edhe një ditë ushqimi për nevojtarët apo masat mbrojtëse për funksionarët e shtetit ç’thagma do kishin nxjerrë nga goja “Babalet” e opozitës. Nuk dua të zgjatem më, por u garantoj qytetarëve që jemi të gjithë në krye të detyrës dhe pavarësisht llafeve të 3-4 individëve që ju i dini, nuk do e ndërpresim për asnjë çast punën. Çdo ditë edhe më të organizuar dhe strukturuar do vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi, që qytetarëve në nevojë mos u mungojnë ushqimet dhe gjithë trupës së atyre që u shërbejnë mos u mungojnë masat mbrojtëse duke zbatuar ligjin në mënyrën më të rreptë dhe rigoroze.”

Për ta përmbyllur me”

“Ndërsa opozitën e ftoj të bashkëpunojë dhe pse jo të ndihmojë duke filluar nga kontrolli po deshën, numërimi, paketimi e deri tek shpërndarja në çdo familje në fshat a qytet, në çdo cep të Shqipërisë të ndihmave ushqimore. Sepse, kur kjo situatë të ketë kaluar, siç do të kalojë, kur kjo luftë të jetë fituar, siç do ta fitojmë, njerëzit me të drejtë do të pyesin ore po këta ç’bënë për të ndihmuar? Dhe po të isha në vend të tyre do ta kisha shumë të vështirë të gjeja një arsye që të më bënte të ndihesha krenare për veten apo partinë time politike.”

Top Channel