Britani, nuk kishte asnjë sëmundje/ Koronavirusi i merr jetën 48 vjeçares, nënë e binjakëve

02/04/2020 18:28

Një nënë e djemve binjakë, të moshës gjashtë vjeç, ka humbur jetën nga koronavirusi, edhe pse nuk vuante nga asnjë sëmundje e mëparshme.

Gruaja e identifikuar si Caroline Saunby, 48 vjeçe, besohet se si pasojë e sëmundjes ka humbur ndjenjat në ambientet e shtëpisë dhe është dërguar me anë të një helikopteri në spital.

Familjarët e të ndjerës, konfirmojnë se e gjitha ndodhi shumë shpejt, para një jave ajo shfaqi simptomat e para dhe u shtrua në spital, ndërsa të dielën u raportua se ajo kishte ndërruar jetë. Tashmë, motra binjake e Caroline, Sarah, është shprehur që qytetarët ta marrin seriozisht këtë pandemi dhe të dëgjojnë me vëmendje të gjitha këshillat e dhëna nga qeveria.

“Jetët tona janë shkatërruar përgjithmonë nga ky virus i tmerrshëm që njerëzit ende nuk po e marrin aq seriozisht sa duhet. Caroline ishte vetëm 48 vjeçe, e aftë dhe e shëndetshme, pa sëmundje të tjera dhe koronavirusi e ndau nga ne për vetëm katër ditë. Kur do të fillojnë njerëzit ta marrin këtë me aq seriozitet sa duhet?!” u shpreh Sarah.

Gjithashtu ajo tregoi dhe se si familja e Caroline, burri dhe dy djemtë po e përballojnë shumë keq faktin që janë të izoluar dhe nuk lejohen që të zhvillojnë ceremoninë mortore, për personin e tyre të dashur.

“Ne nuk mund të zhvillojmë një ceremoni mortore në nderim të Caroline. Ky është realiteti që ndodhemi këto ditë. Ngushëllimi im i vetëm është të di se ajo arriti qëllimet e saj më të mëdha në jetë, duke u martuar me personin që dashuronte dhe bashkë të kenë dy djem të mrekullueshëm”, u shpreh motra e së ndjerës.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel