Tetë të rinj punojnë gjatë tre muajve të verës në lokalin e quajtur ‘Boomerang’ në plazhin e Spillesë dhe gjithashtu duhet të ndajnë të njëjtën banesë me njëri-tjetrin.

Ky është subjekti i reality show më të ri në Shqipëri, “Aventurierët”, që nis transmetimin në Top Channel nga e premtja në orën 23:00 dhe do të vijë te shikuesit çdo javë.

Të rinjtë duhet të qëndrojnë në një banesë që është e projektuar nga produksioni me qëllim që të përshtatet me estetikën e fshatit, pa luksin e tepruar ose ato që mund të ofrojë banimi në qytet, duke e kthyer në sfidë për personazhet. 8 të rinjtë dhurojnë disa nga skandalet, dramat, skenat, dhe situatat më absurde që mund të imagjinohen.

Duke mos e konsideruar në asnjë moment praninë e kamerave, këta personazhe të “Aventurierëve”, kanë kaluar çdo kufi të krijuar tashmë nga shoqëria shqiptare, duke bërë që çdo episod i sezonit të parë të këtij reality show të dhurojë emocione dhe surpriza. Produksioni u ka mundësuar atyre udhëtime në të gjithë Shqipërinë. Në të njëjtën mënyrë, ata nuk kanë bërë dallim mes Spillesë dhe vendeve të tjera si Jalë, Sarandë, Dhërmi, Durrës, Tiranë, Korçë, Pogradec e Theth, duke dhuruar të njëjtin spektakël. Por në të njëjtën kohë “Aventurierët”, shndërrohen në ambasadorë të promovimit të turizmit shqiptar.

Top Channel