Pandemia Covid-19/ Këtë javë pritet që shifra të shkojë në 1 milion të infektuar

01/04/2020 02:17

Brenda javës, në botë do të ketë mbi 1 milionë të infektuar nga koronavirusi. Sipas të dhënave të universitetit John Hopkins, janë më shumë se 800 mijë rastet e konfirmuara të koronavirusit në glob ndërsa numri i viktimave ka shkuar në 38 mijë. SHBA është vendi me numrin më të madh të rasteve, 164610, ndjekur nga Italia dhe Spanja.

Dhe pikërisht SHBA thotë se mund të ketë një valë të dytë të koronavirusit në vjeshtë. “Shpresojmë që kjo të mos ndodhë”, – ka thënë presidenti Donald Trump, “Por nëse ndodh, ne jemi gati. Për sa i takon të shëruarve, sipas John Hopkins, janë 166768. Me ritmin aktual të rritjes, në mes të kësaj jave, mund të pritet që rastet e koronavirusit mund të kapërcejnë një milionë raste në nivel global. Kjo sipas ekspertëve të OBSH duke iu referuar shifrave të fundit të publikuara dhe që tregojnë një tendencë për përshpejtim.

Në Spanjë, është shënuar një tjetër rekord për sa i takon viktimave. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 849 viktima të reja, duke e çuar bilancin në 8189. Infektimet në total janë 94417, 6461 më shumë në krahasim me një ditë më parë.

Ndërkohë edhe Britania e Madhe, sjell një bilanc shqetësues me 393 viktima në 24 orët e shkuara, shifra më e lartë ditore kjo deri më tani. Në total, 1801 persona kanë humbur jetën deri më tani në të gjithë britaninë, mes të cilëve, 367 në Angli, 13 në Skoci, shtatë në Uells dhe gjashtë në Irlandën e Veriut.

Në Belgjikë, në 24 orë, janë regjistruar 98 viktima dhe 94 të tjerë ishin ndarë nga jeta një ditë më parë duke e çuar totalin në 705. Në total, vendi ka 12775 raste të reja të konfirmuara.

Edhe Rusia ka regjistruar 500 raste të reja me Covid-19, në 24 orët e fundit dhe bilanci total i të prekurve ka shkuar në 2337. Një 74 vjecar në Turqi ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit pasi kishte mundur të arratisej nga spitali në të cilin ishte shtruar. Sipas mediave lokale, ai ishte gjetur në shtëpinë e tij nga autoritetet por sapo ishte kthyer në spital, kishte humbur jetën. Holanda ka kapërcyer shifrën e 1 mijë viktimave dhe në total, vendet e ulëta kanë 1039 viktima dhe 12595 të prekur.

Top Channel