Veliaj: “Ndihma për këdo që ka nevojë, nuk bëjmë ndarje partiake; Falen qiratë e banesave sociale për 385 familjarë në nevojë”.

Në këto ditë të vështira që po kalon Shqipëria për shkak të virusit COVID-19, një vëmendje të posaçme Bashkia e Tiranës ia ka kushtuar të moshuarve të vetmuar apo që i kanë fëmijët larg.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte pasditen e sotme në Njësinë 2, ku vijoi shpërndarjen e ndihmave me ushqime dhe detergjent për disa të moshuar, për të cilët siguroi se askush nuk do të mbetet vetëm dhe pa përkujdesje. Kryebashkiaku deklaroi se do të ndihmohen të gjithë, pavarësisht bindjeve politike dhe shtoi se Bashkia e Tiranës do i qëndrojë te koka çdo të moshuari apo personi në nevojë.

“T’i shërbeni jo vetëm xhaxhait të Palokës, por edhe Saliut vetë po të ketë nevojë. Fillimisht, është njeri, pastaj është xhaxhai i dikujt. Nuk bëjmë fare ndarje, nuk na intereson fare partia”, tha ai, duke iu referuar ndihmës që Bashkia e Tiranës po i jep edhe xhaxhait të moshuar të ish deputetit të PD, Edi Paloka.

Ndërkaq, Veliaj dha një lajm të mirë edhe për familjet që jetojnë në banesat sociale. Ai theksoi se bashkia ka vendosur faljen e qirasë për marsin dhe prillin për 385 familje në nevojë. “Do bëjmë një mbledhje online të Këshillit Bashkiak dhe do heqim të gjitha pagesat e qirasë për familjet që jetojnë në banesat sociale. Nëse kriza vazhdon, do heqim edhe majin”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë kërkoi që ky shembull të ndiqet edhe nga privatët, për të mos vjelë qiranë për këto dy muaj. “E rëndësishme është se duhet t’i themi  edhe privatëve, nëse bashkia jep shembullin e vet dhe nuk faturon qira për marsin dhe prillin, mirë është që ta bëjnë edhe ata. Kush ka dhënë një shtëpi me qira, do të thotë që ka një shtëpi vetë, ndaj po të na bashkohet në këtë lloj njerëzillëku, mund të bëjmë diçka të mirë. Këtë nuk e bën dot me ligj,sepse ata e kanë marrëdhënien me njëri-tjetrin. Ne anulojmë qiratë tona, por nuk mund ta bëjmë për gjithë Shqipërinë. Sot po japim shembullin tonë”, tha Veliaj.

Bashkia ka vendosur në dispozicion të qytetarëve në nevojë edhe një numër të gjelbër 0800 0888. Në kohën kur gjyshërit po qëndrojnë në shtëpi për të shmangur prekjen nga infeksioni COVID-19, me dhjetëra të rinj të Tiranës i janë  bashkuar nismës “Adopto një gjysh enjë gjyshe” për t’i ndihmuar ata me pazare apo me blerjen e medikamenteve.

Top Channel