Kryeministri Johnson, letër për çdo familje britanike: Gjërat do të përkeqësohen akoma më tej para se të fillojë përmirësimi

29/03/2020 13:16

Në Britaninë e Mmadhe, kryeministri Boris Johnson, që është prekur edhe vetë nga koronavirusi, i ka drejtuar një letër familjeve.

“Gjërat do të përkeqësohen akoma më tej para se të fillojë përmirësimi. Ky është mesazhi që kryeministri Johnson ka dhënë në letrën e tij drejtuar 30 milionë familjeve në mbretërinë e bashkuar e në të cilën flitet për të tjera masa kufizuese dhe rregulla për distancim social. Që nga fillimi tentuam të implementojmë masat e duhura në momentin e duhur – shkruan Johnson në letrën që do ti mbërrijë në derën e çdo shtëpie brenda javës- e nuk do të hezitojmë të shkojmë më tej nëse kjo do të jetë këshilla e shkencëtarëve dhe mjekëve.

Johnson është në vetë izolim pasi rezultoi pozitiv për Covid 19 dhe thotë se kufizime akoma më strikte do të vendosen nëse do të jetë e nevojshme. Britanikët do të marrin përveç letrës së tij edhe një fletëpalosje me rregullat e plota të qeverisë për daljen nga shtëpia dhe informacionet shëndetësore.

Kjo pason kritikat në lidhje me qartësinë e këshillave qeveritare deri më tani. Numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit në Britaninë e Madhe tani ka shkuar në 1019 me 260 viktima të reja të regjistruara të shtunën. Ndërsa rastet e konfirmuara në Britani janë 17089.

Masa të rrepta për të luftuar koronavirusin janë marrë, mes tyre ndalimi i tubimeve publike të dy apo më shumë personave dhe mbyllja e dyqaneve që shesin mallra jo të domosdoshme. Ekspertët kanë thënë se presin që numri i rasteve të koronavirusit dhe viktimave, të vazhdojë të rritet për dy apo tre javët e ardhshme para se efektet e masave të distancimit social dhe kufizimet në jetën e përditshme të fillojnë të japin rezultat.

Top Channel