Koronavirusi dëmton financat e klubeve, në verë parashikohet merkato shkëmbimesh

29/03/2020 07:19

Koronavirusi ka izoluar popuj të shumtë në mbarë botën, duke paralizuar jetën normale, ndërsa në shumë kampionate të futbollit ka ende dilema nëse do të arrijnë të përfundojnë sezonin e nisur apo jo.

UEFA ka zbuluar se ka disa plane në lidhje me rifillimin e kampionateve dhe do të provohet përfundimi i tyre, por nëse situate nuk do të ketë përmirësim, nuk përjashtohet as mundësia e anulimit të këtij sezoni dhe nisjes së gjithçkaje nga e para.

Mjaft dilema ka edhe për periudhën e merkatos së kësaj vere, që nuk mund të fillojë pa përfunduar sezoni aktual, por hapësira për shit-blerjen e futbollistëve mund të jetë minimale, ndaj po studiohen opsione të tjera.

Megjithatë ekspertët e merkatos në Europë parashikojnë lëvizje të pakta këtë verë dhe kryesisht shkëmbime kokë më kokë mes lojtarëve, pasi klubet pritet të pësojnë një dëm të konsiderueshëm ekonomik, që nuk do t’i lejojë të investojnë.

‘Harrojini goditjet e bujshme këtë verë. Merkatoja do të përqendrohet më së shumti te lojtarët pa kontratë dhe te shkëmbimet kokë më kokë, pasi klubet po humbin miliona nga ndërprerja dhe nuk kanë mundësi investimesh të mëdha”, deklaroi Drejtori Sportiv i Juventusit, Fabio Paratici, pak ditë më parë.

“Duket se do merkatoja e futbollit do të bëhet si në basketbollin amerikan. Klubet do të shohin si mund të bëjnë shkëmbime për të kënaqur trajnerët përkatës, pasi vështirë se do të ketë vend për investime të mëdha”, tha administrator i Interit, Giuseppe Marotta.

Ndërkohë, klube të shumta, me në krye Juventusin, kanë kërkuar shfuqizimin për të paktën 3 sezone të Fair Play-t Financiar, si një mënyrë për t’i lejuar klubet të shpenzojnë përtej të ardhurave dhe të mos bien pre e krizës së shkaktuar nga përhapja e koronavirusit.

Top Channel