G-20 virtuale, 5 trilion $/ Ndihmë ekonomisë globale të gjunjëzuar nga koronavirusi

27/03/2020 02:19

Vendet e G20-tës ranë dakort të injektojnë së bashku $5 trillion dollarë në ekonominë globale për të luftuar ngërçin që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit në mbarë botën.

Arabia Saudite, që është kryetarja e radhës e grupit, i nxiti anëtarët e tjerë të dalin me një përgjigje të koordinuar ndaj krizës më të madhe të momentit. Në samitin virtual, u premtua “ një front i bashkuar” kundër sëmundjes.

Shuma që do të hidhet në ekonomi është pjesë e një pakete të gjerë politikash fiskale, masash ekonomike dhe skemash që synojnë balansimin e impaktit social, ekonomik dhe financiar të pandemisë, thuhet në deklaratën e tyre.

Samiti u organizua përmes lidhjeve me video. Biseda mes krerëve të shteteve më të fuqishme të botës u kryesua nga Mbreti Saudit Salman, i cili është i përfshirë në një luftë çmimesh në tregun e energjisë me Rusinë, pasi dy palët nuk arritën marrëveshje për shkurtimet e prodhimit. Kritikët e kanë akuzuar G20 se është treguar shumë e ngadaltë në përgjigjen ndaj krizës së koronavirusit.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën ka pasur më shumë se 470,000 raste të infeksioneve, dhe mbi 21,000 vdekje. Drejtuesit e Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore, Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) dhe Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) morën pjesë në videokonferencë.

Top Channel