Ideja e fundit, kampionatet mbyllen në 15 korrik, Kupat e Europës luhen në verë!

26/03/2020 11:46

Këtë vit parashikohet një verë e nxehtë e mbushur me emocione dhe futboll.

Edhe pse është diskutuar për përfundimin e parakohshëm të pjesës më të madhe të kampionateve në Europë gjasat janë që të luhet futboll gjatë gjithë verës. Në momentin që bota do të marrë frymë lirisht nga pandemia e koronavirusit, futbolli do të rifillojë dhe kampionatet do të luhen rregullisht deri në fund.

Ideja më e fundit e UEFA-s dhe krerëve të klubeve europiane është që kampionatet të rifillojnë në fund të majit dhe të luhen pa ndërprerje deri në mes të korrikut. Më pas do të jetë momenti i Kupave të Europës që do të rinisin në 18 korrik me ndeshjet e mbetura të raundit të 1/8-ave në Champions dhe Europa League.

Finalet e mëdha të këtyre dy kompeticioneve do të luhen në mesin e gushtit, ndërkohë që pas një pauze të shkurtër pushimesh skuadrat do të rinisin stërvitjet që sezoni i ri të fillojë pas datës 10 shtator. Nëse do të luhet me tifozë apo tifozë kjo do të varet nga përhapja e koronavirusit.

Top Channel