Kur për biznesin e madh kjo betejë me CoronaVirusin sjell dëme të mëdha, për të vegjlit mund të çojë deri në faliment. Sot aktiviteti i biznesit të vogël është paralizuar, përjashtuar sektorin e tregtimit të produkteve ushqimore.

Ditën e parë kur paniku ishte prezent, qytetarët vrapuan për furnizime, por gjatë ditëve të izolimit, xhiroja ditore ka prekur nivelet më të ulta për këto subjekte. Zonja Sadete, pronare e një bulmetoreje thotë se gjatë ditëve të karantinës, punon vetëm pak orë gjatë paradites. Niveli i xhiros nuk i afrohet sipas saj as ditëve më të dobëta në kohë normale.

“Kur u përhap lajmi kishte fluks blerësish, ndërsa tani më shumë po rrimë”, tregon Sadetja. Artani, është një tregtar i nënprodukteve të mishit. Ai ka të njëjtin shqetësim se xhiroja ditore nuk justifikon vijimin e aktivitetit. Sipas tij, produktet që tregton nuk janë rezistente për një kohë të gjatë dhe humbja mund të jetë e madhe.

“Sumë e vështirë, tashi, janë të lidhura gjithë gjërat, malli është prodhuar, konsum s’ka, pasojat kuptohet që janë… Kjo ka pasojat e veta se malli po nuk u konsumua i bie që…se ka edhe ajo afatet e veta…”, tregon Artani.

Nëse kjo gjendje e jashtëzakonshme do të shtrihet në kohë, rrezikun e falimentit e ndjejnë jo vetëm bizneset që sot janë të mbyllura, por edhe subjektet e vogla që po vijojnë aktivitetin në një kohë epidemie.

Top Channel