E shkarkoi se përhapi panik për covid-19, LDK i kërkon Kurtit të tërhiqet nga vendimi: Veprime të njëanshme, cënojnë koalicionin

18/03/2020 16:27

Pas shkarkimit nga pozita të Ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu nga kryeministri, Albin Kurti, LDK-ja ka thirrur mbledhjen e kryesisë në ora 18.

Në këtë takim do të diskutohet për vazhdimin apo jo të koalicionit qeverisës.

Kreu i LDK-së Isa Mustafa gjatë ditës ka shkruar se nuk e pranon shkarkimin e Veliut dhe se ky vendim shkel marrëveshjen për koalicon.

“Për mua dhe LDK-në është i papranueshëm shkarkimi i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu.
Kjo është shkelje e Marrëveshjes së koalicionit.

  Përhapi panik për CoVid-19, Kryeministri Kurti shkarkon ministrin Veliu

Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i LDK-së.
Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij te bëra publike.

Kërkoj nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim per heqjen e taksës deri në fund të javës.

Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe qojnë në prishje të koalicionit.”

Shkarkimi i Veliut u bë nën arsyetimin se kishte përhapur panik gjatë një deklarate të dhënë gjarë së martës ku kishte kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke përcjell kështu kërkesën e partisë së tij.

Por kjo kërkesë nuk u aprovua nga kryeministri Kurti as pas mbajtjes së Këshillit të Sigurisë të thirrur nga Presidenti Hashim Thaçi.

Zëvendëskryeministri, Haki Abazi në një konferencë pak para mesnatës tha se gjendja nuk është e jashtëzakonshme dhe kjo do të përbënte vetëm panik.

Top Channel