“Transparencë në çdo hap, veprim në kohë”, Basha: Vendi përballon krizën, nëse pezullohen koncesionet

17/03/2020 21:35

Disa prej propozimeve janë adoptuar nga qeveria, pavarësisht prej toneve luftarake dhe për fat të keq prej debatit politik, ose më mirë të themi sulmeve politike ndaj opozitës, prapë se prapë disa prej propozimeve tona tashmë janë adoptuar në letër.

“Refuzoj të përfshihem në debat politik, sepse nuk i vlen askujt debati politik dhe ai twitter apo twittera të tjerë, janë në fakt harxhim i kotë i kohës së njeriut që drejton qeverinë. I bëj thirrje mos të merret me opozitën. Do të ketë kohë të merret me opozitën dhe opozita të merret me të. Ta fokusojë gjithë energjinë e tij, gjithë kohën e tij tek zgjidhja e problemeve të njerëzve. Është kohë e humbur të sulmosh opozitën në këtë kohë. Beteja sot është për shëndetin e njerëzve. Të ishte për politikë, rrija dhe unë. Prisja të shihja çfarë shkon dhe çfarë nuk shkon, gjurmoja, prisja dështimin e tij dhe nuk bëja asnjë propozim. Por po flasim për jetë njerëzish. Po flasim për shëndetin e njerëzve. Nuk ka këtu kuptim beteja politike. Asgjë nuk vlen më shumë se jeta. Politikanët, kryeministrat shkojnë e vijnë, qytetarët janë gjeja më e rëndësishme. Prandaj i kemi bërë propozimet që do t’i ndërmerrnim vetë po të ishim në qeverisje të vendit, pasi them se janë zgjidhja e duhur dhe plotësisht e mundshme. Mjafton që të ketë mirëmenaxhim, të ketë transparencë. Ka nevojë për transparencë edhe për të qetësuar njerëzit. Nuk mjafton të thuash “E di unë. Prisni se do të bëhet si të them unë” Transparenca është aleati më i mirë kundër panikut, kundër frikës. Ndaj dhe ftesa e thirrja ime është që të ketë transparencë për çdo hap dhe të veprohet më mirë një ditë më parë se një ditë më vonë. Shqipëria nuk ka mundësitë e Italisë apo vendeve të Europës, por ka mundësi. Vetëm fatura e koncensioneve është 120 milion euro. Vetëm para disa ditësh janë paguar 700 mijë euro për inceneratorin e Tiranës. Fatura në total ka shkuar 23 milion euro vetëm për inceneratorin e Tiranës. Po ju jap vetëm një shembull: vetëm një kilometër rrugë bën 20 milion euro. Ajo që po kërkojmë është jo vetëm e arsyeshme, por e domosdoshme. Ndalimin e këtyre kontratave, pezullimin apo ngrirjen e këtyre kontratave dhe devijimin e këtyre fondeve për familjet në nevojë.” tha Basha për euronews.

Top Channel