Në raste të tilla të epidemive, ata që besojnë në Zot tentojnë të afrohen më afër tij. Por në institucionet fetare grumbullimi i besimtarëve do të thotë një mundësi e madhe infektimi. Megjithatë krerët të komuniteteve fetare ne vend u tregun të mirëkuptueshëm. Ata bënë thirrje besimtarëve të qëndrojnë në shtëpi.

Ne vizituam një kishë ungjillore në Tiranë e cila takimet javore i bën çdo të premte në orën 18:00. Nëse takimet do të vazhdonin si gjithmonë në këtë ambient do të hynin e dilnin mijëra njerëz dhe kjo do ta kthente një vend shumë të pasigurt.

“Ne kemi një kishë e cila ku të gjithë besimtarët mblidhen së bashku, ka rreth 350 deri në 400 vetë, në këtë qendër bëjnë takime dhe dy kisha të tjera, dhe numri total i besimtarëve që hyjne dhe dalin në këtë godinë në takimet javore mund të shkojë diku tek 2500 vetë, në një javë”, tregon Paulin Vilajeti, pastor.

Pastor Paulini thotë se ka gjetur mënyrën më ideale që besimtarët mos të dalin nga shtëpia, por nga ana tjetër të mos ngelen pa marrë mesazhin e besimit.“Ne kemi marrë vendim që të gjitha shërbesat e mëdha të pezullohen duke iu ofruar njerëzve shërbesën on-line. Pra unë do të bëj predikimin live në facebook dhe njerëzit do të jenë duke e ndjekur nga shtëpia”, tregon Paulin Vilajeti, pastor.

Disa nga besimtarët kanë marrë guximin dhe përsëri kanë ardhur në sallë, por ata janë ulur larg njëri tjetrit. Disa prej tyre kanë venë maska dhe doreza.“Ajo që unë nuk mund t’ju them besimtarëve është që dera e kishës është e mbyllur. Këtë nuk ua them dot kurrë. Por unë iu sugjeroj të rrinë në shtëpi sepse është më mirë të rrinë në shtëpi dhe të jenë të shëndetshëm se sa të vijnë nesër the të më thonë pastor lutu për mua që të shërohem”, tregon Paulin Vilajeti, pastor.

E njëjta situatë ndodh edhe për besimtarët myslimanë. Për herë të parë, në 30 vitet e fundit, shikon xhamitë bosh ditën e premte, kur falet namazi. Për një besimtar mysliman të devotshëm, është tepër e vështirë të mos frekuentojë xhaminë ditën e premte. Njësoj si fetë e tjera, edhe krerët e komunitetit mysliman i kanë përcjellë lutjet e tyre nëpërmjet rrjeteve sociale.

Top Channel