Tatimet janë duke verifikuar të gjitha ankesat e qytetarëve për bizneset që abuzojnë me çmimet.

‘’Deri tani kemi marrë 137 ankesa në të gjithë Shqipërinë por kryesisht në Tiranë Durrës. Këto ankesa i kemi verifikuar me grupet e terrenit me qëllim që të ndalim abuzimet e çmimeve. Ne po mbajmë aktet e konstatimit dhe çmimet e shitjes dhe çmimet e blerjes. Në vijim të kësaj organeve kompetente do ti dërgohen këto akt konstatime për të vendosur penalitetet në bazë të aktit normative’’, shprehet Delina Ibrahimaj, drejtoreshë e përgjithshme e tatimeve.

Sipas drejtoreshës së tatimeve, inspektorët do të kontrollojnë të gjithë zinxhirin tregtar të mallrave të domosdoshëm, jo vetëm tek pikat e pakicës.

‘’Ankesa kanë ardhur për tregjet ushqimore, të cilat ne i kemi verifikuar jo vetëm në tregje por edhe tek grosistët dhe aty kemi mbajtur akt konstatimet përkatëse dhe penalitetet përkatëse me qëllim që të mbrojmë konsumatorët’’.

Deri tani, tatimet kanë zbuluar rreth 57 shkelje, procesverbalet e të cilave i janë dërguar komitetit të mbrojtjes së konsumatoreve në ministrinë e financave. Është ky komitet sëbashku me policinë e shtetit që  do të vendosë dhe penalitetet për bizneset që kanë abuzuar me çmimet, sipas aktit normativ të qeverisë. Por autoritetet thonë se synimi i tyre nuk është vendosja e gjobave.  

‘’Ne kemi mbajtur 57 akte kontrolli të cilat kanë qenë për shkelje të legjislacionit tatimor megjithatë qëllimi i përbashkët është ndërgjegjësimi i bizneseve ndaj ndalimit të abuzimeve’’.

Përmes një akti normativ qeveria ka vendosur që çdo biznes i cili konstatohet se ka abuzuar me çmimet të dënohet deri në 5 mijë euro gjobë dhe nëse shkelja përsëritet, atëherë i hiqet licenca.

Top Channel