Ish Këshilltarja e Ramës në Top Talk: Akt Normativ urgjent që të pezullojë afatet dhe penalitetet për deklarimet e biznesit.

16/03/2020 19:27

“Absolutisht duhet të nxirret një Akt Normative, edhe nëse ka mundësi që të përcaktojë se sa janë shumat që duhet t’i kushtojë buxhetit të shtetit, për të paktën ndalimin e gjobave për bizneset”.

Kështu u shpreh në “Top Talk”, ish-këshilltarja e Kryeministrit Edi Rama, Irena Beqiraj. Ajo shtoi se me datë 31 mars të këtij muaji, është afati përfundimtar i  dorëzimit të pasqyrave financiare, edhe në qoftë se bizneset nuk deklarojnë të ardhurat e tyre brenda kësaj date, vonesa përkthehet me gjobë. Beqiraj sugjeroi se për një afat të pacaktuar qeveria të anulojë këto gjoba me anë të një Akti Normativ dhe shlyerja e këtyre detyrimeve të bëhet në një moment të dytë.

“Absolutisht duhet të nxirret urgjentisht një Akt Normativ, edhe nëse nuk ka mundësi që të përcaktojë se sa janë shumat që duhet t’i kushtojë buxhetit të shtetit, për të paktën ndalimit të gjobave për biznesit. Jemi para dorëzimit të pasqyrave financiare. Jemi para të pagesës së tatim-fitimit. Jemi para pagesës së sigurimeve shoqërore. Kështu që,  për të mos thënë të punëtorëve që do të duhet të paguajnë. Ajo që duhet të bëjë qeveria në mënyrë urgjente, është e gabuar që të përdorë të parin shkopin dhe më pas karotën. Të paktën t’i përdorë të dyja në të njëjtën kohë. Në të njëjtën kohë që ka vendosur gjobat për sa i përket shkeljes së rregullave të karantinës. Në të njëjtën kohë duhet të heqë të gjitha gjobat për vonesat në pagesa, ose të paktën në dorëzimin e faturave financiare”, u shpreh Beqiraj.

Më tej ajo shtoi:

“Më besoni sot ka pasur shumë biznese që kanë pasur këtë problem. Në datën 31 është dorëzimi i pasqyrave financiare. Ne i kemi kontabilistët të gjithë nëpër shtëpia dhe nuk jemi në gjendje t’i përgatisim brenda afatit. Dorëzimi i tyre me vonesë, do të thotë gjobë. Pra qeveria duhet të ulet të paktën me një akt normative ,të heqë çdo gjë që lidhet me gjobat. Më pas nëse do t’i pezullojë apo do t’i shtrijë për tre muaj, për katër muaj apo për pesë muaj. Apo do t’i përgjysmojë për disa biznese, apo do të japë suvensione të llojeve të ndryshme, qoftë në kredi, qoftë dhe në falje taksash. Këto masa duhet më shumë punë sepse kërkohet një studim dhe kërkohet të bëhen analizat e nevojshme”, u shpreh Irena Beqiraj.

Top Channel