Tani edhe Bundesliga ka futbollistin e saj të parë bartës të Coronavirusit. Bëhet fjalë për mbrojtësin e Paderbornit, Luca Kilian, i cili rezultoi pozitiv me virusin famëkeq.

Njoftimi u bë nga vetë klubi i elitës së futbollit gjerman, ku luan futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Klaus Gjasula. Trajneri Steffen Baumgart kishte marrë më parë përgjigje negative, por nuk ndodhi kështu me djaloshin 20-vjeçar gjerman.

Këtë të shtunë, lojtarët dhe të gjithë anëtarët e ekipit të Paderbornit do t’i nënshtrohen testit të Coronavirusit.

“Shëndeti i lojtarëve dhe punonjësve tanë vazhdon të jetë përparësi absolute,” – tha drejtuesi i lartë i Paderbornit, Martin Przondziono. – “Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbajtur sëmundjen brenda kufijve dhe për t’u siguruar lojtarëve dhe punonjësve tanë kujdesin dhe mbështetjen më të mirë të mundshme mjekësore”.

Paderborni duhej të luante në fushën e Fortuna Düsseldorf, të premten në mbrëmje, por ndeshja u anulua sikurse ndodhi me të gjitha sfidat e tjera të Bundesligës këtë fundjavë.

Top Channel