FMN: Fonde për shëndetësinë/ Deklarata nga Uashingtoni për Shqipërinë: Zbutja e impaktit, prioritare

14/03/2020 15:09

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka sugjeruar qeverisë që mbështesë me të gjitha fondet e nevojshme sistemin shëndetësor për të përballuar epideminë e virusit.

Përmes një deklarate zyrtare të lëshuar nga Uashingtoni, FMN këshillon qeverinë se shpenzimet për të zbutur impaktin e epidemisë duhet të jenë prioritare.

“Nevojiten politika për të mbrojtur njerëzit nga shpërthimi i COVID-19, duke u siguruar se sistemi shëndetësor ka burime të mjaftueshme dhe duke mbështetur atë që preken më shumë nga kjo epidemi.”

FMN ka cilësuar si të drejtë vendimin e qeverisë që rriti lehtë borxhin për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit si dhe për të financuar programin e rindërtimit të banesave duke lënë të kuptohet se nëse do të jetë e nevojshme, kjo rrugë mund të ndiqet edhe për përballimin e epidemisë. Megjithatë FMN vëren se është e rëndësishme që projektet e rindërtimit të zbatohen në mënyrë transparente si dhe në linjë me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Të dy këto ngjarje si tërmeti ashtu dhe shpërthimi i epidemisë kanë ndryshuar ndjeshëm parashikimet për rritjen ekonomike të vendit. Në fund të vitit të kaluar FMN parashikonte se ekonomia shqiptare do të rritej me 3.5 për qind në vitin 2020. Por ky skenar tashmë duket se ka rënë dhe rritja do të jetë më e ulët.

“Tërmeti i 26 nëntorit pritet të frenojë rritjen ekonomike të këtij viti. Po kështu, shpërthimi i epidemisë COVID-19 parashikohet të ngadalësojë më tej rritjen për vitin 2020. Magnituda se sa do të jetë ky ngadalësim është shumë e pasigurtë në këtë moment.”

Ngadalësimi I rritjes ekonomike dhe shpenzimet shtesë që nevojiten për të përballuar epideminë, mund të ndryshojnë edhe parametrat e buxhetit. Për vitin 2020 qeveria ka parashikuar të marrë rreth 320 milionë euro borxh të ri, por masat kundër epidemisë mund të ulin të ardhurat dhe të kërkojnë më shumë shpenzime duke rritur me tej deficitin buxhetor./ Klodian Tomorri/

Top Channel