Njoftim për ata që do të fluturojnë nga data 13 Mars deri më 15 Mars nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës

12/03/2020 17:30

Për të gjithë pasagjerët që kanë për të udhëtuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës drejt destinacioneve të tjera – përveç Italisë, fluturimi drejt të cilave është anulluar – duke nisur nga dita e nesërme, më 13 Mars 2020, ora 06:00 e mëngjesit dhe deri në mesnatën 00:00, janë të lutur që të kenë me vete, të printuar ose foto, biletat e tyre të udhëtimit, kështu njoftojnë autoritetet e TIA.

Një njoftim i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar (AAC) citon se “bileta si evidencë e udhëtimit është e domosdoshme nëse dëshironi të arrini fluturimin tuaj”. AAC këshillon pasagjerët se duhet të marrin parasysh që në kushtet e kufizimit të qarkullimit, të nisen më herët, për të bërë të mundur arritjen në kohë në aeroport.

AAC saktëson se vetëm një familjar mund të shoqërojë pasagjerin në aeroport, gjithmonë duke patur me vete biletën e udhëtimit apo një foto të saj, si dhe pasaportën, ndryshe Policia e Shtetit nuk do ta lejojë kalimin, këshillohet nga AAC.
Ndërkohë më tej, në njoftimin e Policisë së Shtetit, thuhet se të gjithë qytetarët të cilët mund të përdorin aeroportin e Rinasit, duhet fillimisht të konfirmojnë pranë sallave operative nëpërmjet numrit 112 ose 129, orarin e lëvizjes në drejtim të Rinasit, linjën e fluturimit, si dhe kohën e lëvizjes.

“Në rast se nuk do të jenë bërë këto njoftime paraprakisht në sallat operative, pra nëpërmjet numrit 112 dhe 129, orari i fluturimit, bileta dhe personi i cili do të fluturojë, nuk do të lejohet të lëvizw në asnjë nga akset rrugore dhe do të ndëshkohet, duke respektuar qoftë dispozitat e Kodit Rrugor, por njëkohësisht edhe sanksionet e tjera të cilat kanë dalë në zbatim të situatës së emergjencës së cilës ne po kalojmë”, përcakton njoftimi.
Ky kufizim hyn në fuqi nesër, e Premte 13 Mars, ora 06:00 e mëngjesit, deri në mesnatën 00:00 të së Dielës 15 Mars 2020.

Top Channel