Mbyllen të gjithë restorantet, lokalet e klubet në Tiranë e në Durrës, Rama: Nuk është kohë argëtimesh…lufta fitohet vetëm duke kufizuar lirinë

11/03/2020 14:54

Pas shënimit të viktimës së parë në vendin tonë nga koronavirusi, Kryeministri i vendit, Edi Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se të gjithë lokalet, restorantet, klubet dhe baret në Tiranë dhe në Durrës do të mbyllen deri në një njoftim të dytë.

Kjo masë vjen në kuadër të masave të ndërmarra për frenimin e përhapjes së koronavirusit.  Ndër të tjera kryeministri Rama shkruan se kjo nuk është kohë pushimesh dhe argëtimi por një luftë që fitohet duke kufizuar disa liri.

“NDJESË por duke parë shkallën e ulët të vetëdijes së shumë qytetarëve, kryesisht të rinj, që e kanë edhe më të vështirë të rrinë në një vend, detyrohemi TË MBYLLIM TË GJITHA RESTORANTET, BARET, KLUBET, në TIRANË dhe DURRËS fillimisht!

KJO NUK ËSHTË KOHË PUSHIMESH dhe ARGËTIMESH JASHTË SHTËPISË, po KOHË LUFTE Dhe KJO LUFTË FITOHET VETËM DUKE KUFIZUAR LIRINË TËNDE, DUKE NDRYSHUAR RRËNJËSISHT MËNYRËN E JETESËS dhe DUKE RUAJTUR FAMILJEN TËNDE nga kontaktet e tua me jashtë! FRIKË ASPAK, KUJDES PO! MADJE SHUMË FARE!” shkruan kryeministri Rama.

Në vendin tonë tashmë është shënuar një viktimë ndërsa të prekur janë 11 persona.

Top Channel