Coronavirusi nuk përbën problem vetëm për shëndetin e njerëzimit por në të njëjtën kohë ai po gjunjëzon edhe ekonominë botërore.

“Në numër do të ndodh një efekt që disa të vdekur dhe shumë të falimentuar”, tregon Elisabeta Katija, eksperte ekonomie.

Duhet të theksojmë se nuk janë vetëm vendet që preken nga coronavirus që penalizohen në aspektin ekonomik. Që nga momenti i përhapjes së coronavirus e deri tani dëmi ekonomik i shkaktuar është më shumë se një trilion dollar.

“Duke qenë se coronavirusi po zgjat në kohë dhe jo vetëm në një vend të izoluar por po shpërndahet në shtete të ndryshme të botës. Përllogaritja fillestare është një trilionë dollar. Kjo bënë që ekonomia botërore të ulet me 0,2% ndoshta edhe më shumë deri në fund të vitit nga parashikimi që kishte bërë FMN deri në fund të vitit 2020”, thotë Besart Kadia, ekonomist.

Dy vendet e prekura më së shumti nga coronavirus, Kina dhe Italia janë edhe dy partnerët kryesor në shkëmbimet tregtare për Shqipërinë. Kina është partneri i tretë tregtar për Shqipërinë. Në janar eksportet drejt Kinës u përgjysmuan ndërsa importet ranë me 10%.

Ndërsa Italia, vendi që mban peshën kryesore të ekonomisë tonë, pësoi 33% rënie të volumit tregtar. Mendohet se dëmi më i madh me këtë shtet mund të jetë tek eksportet. Pjesa më e madhe e produkteve që Shqipëria eksporton drejt shtetit fqinj janë këpucë dhe tekstile. Rreth 64% e eksporteve drejt Italisë i përkasin kësaj kategorie.

Emergjenca globale ka hedhur në “kosh” të gjitha pritshmëritë ekonomike për 2020. Gjatë këtij viti pritej një rritje e madhe e udhëtimeve nga Kina. Coronavirus dhe ndalimi i fluturimeve në Kinë, kanë ndryshuar në mënyrë dramatike këto pritshmëri dhe pasojat për ekonominë botërore priten të jenë të mëdha.

Po të marrim ekonominë e Kinës e cila është edhe motori kryesor i prodhimit do të vëmë re një ulje drastike. Me ndalimin e prodhimit shumë biznese pritet që të falimentojnë.

Nëse i referohemi importeve që ka kryer Shqipëria me Kinën dhe Italinë, ato kanë pësuar rënie. Përkatësisht rënia më e madhe e importeve është me Kinën me rreth 10.5%.

Kuptohet që me mbylljen e shumë bizneseve në vendin fqinj rrezikohet edhe puna e fasonëve në Shqipëri. Edhe pse fasonët si biznes zënë një pjesë të vogël të tregut, ata kanë numrin më të madh të të punësuarve në vendin tonë.

Top Channel