Në studion e emisionit “Top Talk” të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja ishte i ftuar sociologu Gëzim Tushi. Gjatë fjalës së tij sociologu u shpreh se është momenti që politika të bëhet bashkë për ta luftuar këtë situatë kaotike.

Pra ai shpreson që të mos ketë “beteja” të hapura midis mazhorancës dhe opozitës, por dëshiron që ata të bëhen bashkë kundër së “keqes” duke ndjekur shembullin e një populli të qytetëruar. Nga krahu tjetër Tushi bën apel që të gjithë njerëzit duhet t’i kenë të gjitha shpresat tek mjekët dhe të ndjekin me përpikëmëri të gjitha këshillat e tyre, pasi në këtë mënyrë do të mund të minimizojmë mundësinë e infektimit.

Gëzim Tushi: Popujt e qytetëruar dhe vendet që kanë status qytetar zakonisht krijojnë një konsensus kombëtar kur kanë situata të tille pandemie, qoftë mjekësore, qoftë të rasteve planetare, sikurse ishte tërmeti që nuk ishte në dorën tonë, apo të fatkeqësive të tjera. Popujt e qytetëruar dhe elita politike e një vendi grupohet përtej ndarjeve, përtej barrierave ideologjike apo partiake, në mënyrë që ta përballojmë këtë gjë. Unë nuk them që opozita nuk duhet të bëjë vërejtje sepse ajo është misioni i saj. Unë gjithmonë e kam thënë  që opozita nuk merr pjesë në qeverisjen e vendit, por koncepti i qeverisjes është më i gjerë se koncepti qeverisës. Por ndërkaq, në qoftë se përpiqemi të zmadhojmë më shumë djallin sesa është apo përpiqemi të fitojmë pikë politike me këtë situatë, mua më duket se këto nuk janë pikë që i shërbejnë të tërës. Prandaj unë them të ketë një lloj maturimi midis palëve.

Denis Dyrnjaja: Në fakt në këtë lloj situate që duhet thënë është e re në të gjithë botën jo vetëm për ne. Pra është një sfidë për mjekësinë e cila po përpiqet minutë pas minute për të krijuar vaksinën e re, antikorpin siç njihet ndryshe, që trupi duhet të prodhojë për të mundur këtë sëmundje. Natyrisht që ne jemi shumë herë më pas nga ata që janë në ballë të kësaj beteje. Por çfarë këshille keni juve për këta njerëz që po merren me administrimin e situatës klinike dhe mjekësore. Edhe ata kanë nevojë për një adresim të problemeve në raport me njerëzit, pra si duhet qasur këta mjekë, me popullin për të bindur njerëzit dhe për të krijuar një kulturë të re.

Gëzim Tushi: Unë besoj që ato janë figurat më autoritare dhe të besueshme që mund të ngjallin besimin tek njerëzit. Sot njerëzit po shikojnë pas bluzave të bardha të mjekëve tanë, po shikojnë njeriun që po presin shpëtimin. Në një farë mënyre profesionalizmi, humanizmi, kompetenca e tyre, kurajoja qytetare dhe profesionale, mungesa e panikut tek ta, sepse imagjinoni një ndjenjë paniku tek bluzat e bardha, tek mjekët dhe infermierët, do të amplifikonin në mënyrë të shumëfishtë tek pacientët. Atëherë do të kishim një situatë të frikshme.

Top Channel