Bashkim Shehu vjen me romanin “Triptiku i magjistarëve”. Në të ai ndërthur pushtete të ndryshme në tri vende, duke sjellë realitete paralele. Duke mohuar notat autobiografike, në mos janë të pavetëdijshme, ai vë përkrah, magjistarin e Hitlerit, një murg budist në Kinën e revolucionit kulturor, shkencëtarë të vjetër e të rinj, në Moskë dhe në Tiranë.

Lidhja mes tyre, pohon vetë autori, është prania e një lloji të caktuar personazhi në çdonjërin prej tyre; e dikujt që mund të quhet magjistar a çudibërës, njeri më aftësi mendore të mistershme për të parashikuar të ardhmen ose që shihet si i tillë dhe nga raporti i pushtetit të tyre me njerëz të pushtetshëm në kuptimin e zakonshëm që i japim fjalës pushtet.

Shehu tha për Vitrinën e Librit se ka shfrytëzuar për veprën librin “Magjistarët e Hitlerit”- Astrologë e Fatthënës në shërbim të Rajhut të III-të duke e plotësuar me të dhëna nga ‘parashikuesi çifut i Hitlerit” nga Erik – Oskar Hansen. Një tjetër ‘ndihmë’ në krijimin e shtratit letrar të veprës ka qenë edhe Jung Chan dhe Jon Halliday me “Mao, historia e panjohur’.

Për të plotësuar “triptikun” e tij, Shehu ka shqyrtuar edhe kumtesat e konferencës shkencore “Okultizmi në kulturën moderne ruse e sovjetike’. Pos ‘magjistarëve’ të Evropës gjermane dhe Lindjes së largët kineze, ai vë në vepër edhe “Hijen” Shqiptare. Qoftë vetëm për të grishur nga pjesa shqiptare e veprës, po përmendim xhirimin e një filmi me titull “Medea”, ku flitet për historinë e  dashurisë së ndaluar të një çifti, ku bashkëshorti, bashkëpunëtor i Sigurimit vë në shtratin martesor një aparat përgjimi, duke e nxitur të flasë kundër regjimit dhe duke e çuar drejt burgut. 

 

Top Channel