TIRANË – Presidenti i Republikës, Ilir Meta me anë të një deklarate për mediat ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar nga koronavirusi në vendin tonë ku së fundmi dy persona, babë e birë, u konfirmuan pozitiv ndaj këtij virusi.

Presidenti ka vlerësuar angazhimin e institucioneve mjekësore për të qenë në gatishmëri për pacientët dhe të tjerët që dyshohen se janë prekur nga koronavirusi.  Meta ndër të tjera është shprehur se nuk ka vend për panik. Ai ka ftuar qytetarët ta përballojnë me qetësi këtë situatë si dhe të respektojnë protokollet mjekësore, të ndjekin sugjerimet e institucioneve shtetërore.

Presidenti ka bërë apel për domosdoshmërinë e angazhimit dhe bashkërendimit të të gjitha strukturave shtetërore me forca të kualifikuara njerëzore dhe shkencore, veçanërisht atyre me eksperiencë në fushën e epidemiologjisë të higjienës, qofshin ata edhe jashtë shërbimit aktiv.

“Sot u konfirmuan zyrtarisht dy raste, të cilat janë të parat dhe do dëshironim shumë të ishin dhe të vetmet, të të prekurve nga coronavirus. Duke u uruar shërim sa më të shpejtë të dy qytetarëve tanë, shpreh të gjithë solidaritetin tim me ta, me familjarët e tyre dhe me të gjithë ekipin mjekësor, që është duke u shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal.

Vlerësoj angazhimin dhe masat e marra deri tani nga institucionet përgjegjëse shtetërore kundër përhapjes së kësaj pandemie, përfshirë dhe vendimet e qeverisë sot. I ftoj të gjithë qytetarët të përballojnë me përgjegjshmëri maksimale, qetësi dhe solidaritet këtë situatë.

Të respektojnë me përpikmëri dhe rigorozitet protokollet shëndetësore dhe këshillat e stafeve të specializuara mjekësore, si dhe të ndjekin dhe të zbatojnë në çdo moment vetëm sugjerimet e institucioneve shtetërore.

Nuk ka vend për panik! Por në radhë të parë nuk ka vend kurrsesi për nënvleftësimin më të vogël nga të gjitha institucionet, dhe në mënyrë të veçantë nga çdo qytetar i këtij vendi. Në këtë situatë kërkohet përgjegjshmëri maksimale, bashkëpunim i menjëhershëm, profesionalizëm, përkushtim dhe transparencë. Shëndeti i çdo qytetari dhe jeta e tij është prioriteti i të gjithëve sot!

Për këtë arsye:

Mbështes fuqimisht të gjithë personelin shëndetësor, që është vendosur përpara një sfide madhore, mjekët dhe infermierët tanë në mbarë vendin, të cilëve do t’u duhet, përveç probleme të tjera të mëdha, të përballen me këtë rrezik serioz dhe madhor.

Apeloj domosdoshmërinë e angazhimit dhe bashkërendimit të të gjitha strukturave shtetërore me forca të kualifikuara njerëzore dhe shkencore, veçanërisht atyre me eksperiencë në fushën e epidemiologjisë të higjienës, qofshin ata edhe jashtë shërbimit aktiv.

U bëj thirrje të gjitha institucioneve qendrore e vendore të marrin masat për sigurimin e jetës së çdo qytetari, për sigurimin në radhë të parë të mjeteve mbrojtëse të domosdoshme, veçanërisht për mjekët e infermierët, nisjen e trajnimeve të personelit që do të angazhohet për përballimin e kësaj situate, për caktimin jo vetëm të karantinave dhe perimetrit të tyre të sigurisë dhe dezinfektimin e ambienteve publike, por dhe të pajisjeve dhe gjithçkaje të domosdoshme që duhet për trajtimin e të prekurve.

Si President i Republikës, po e ndjek situatën hap pas hapi dhe së bashku me institucionet e tjera shtetërore, do të bëjmë çdo gjë për të aktivizuar të gjitha mundësitë, kapacitetet dhe fuqitë tona për të qenë në këto momente pranë çdo qytetari, për tejkalimin me pasoja sa më të lehta të kësaj situate, duke bërë çdo gjë për mos lejimin e përshkallëzimit të saj!

Në vlerësim të situatës,

APELOJ:

– Për plane të detajuara për pandeminë, me përgjegjësi të ndara për çdo strukturë e individ, në nivel qendror dhe vendor;

– Plan Monitorimi shumë rigoroz dhe të detajuar për funksionim real dhe përgjegjësi të plot në terren të strukturave;

– Financim të plotë për përmbushjen e nevojave dhe blerjen e të gjitha materialeve mjekësore mbrojtëse për personelin shëndetësor, por jo vetëm atë, edhe të forcave të sigurisë apo të gjithë personelit tjetër që do të angazhohet në këtë operacion, që të përballojmë me sukses këtë pandemi;

– Plan veprimi të qartë për strukturat shëndetësore dhe kapacitetet e tyre përballë rrezikut eventual të përshkallëzimit të pandemisë;

– Plan të detajuar ekonomik për veprimet financiare mbështetëse, që qeveria duhet të ndërmarrë menjëherë për përballimin e pasojave të pandemisë në ekonomi.

Sot familja dhe e gjithë shoqëria shqiptare janë së bashku për të përballuar një emergjencë shëndetësore shumë serioze dhe vetëm shpalosja e një solidariteti mbarëkombëtar duhet të jetë siguria dhe fuqia më e madhe përballë pandemisë.

Maturia dhe mësimet e nxjerra nga vendet të tjera edhe më të zhvilluara, që janë prekur më shumë, si Italia fqinje, janë instrumentet më të sigurta për të përballuar me qetësi dhe vendosmëri në mënyrën e duhur këtë situatë kaq të ngarkuar.

Çdo qytetar duhet të jetë i ndërgjegjshëm se nënvleftësimi më i vogël, jo vetëm rrezikon shëndetin e tij dhe jetën e tij, por edhe të fëmijëve të tij, të prindërve të tij, të gjyshërve të tij, të fqinjëve të tij, të miqve të tij. Prandaj të gjithë në këto momente duhet të tregojmë përgjegjshmëri maksimale dhe bashkëpunim maksimal.

Jam i bindur se vetëm në këtë mënyrë do t’ia dalim, që kësaj situate të vështirë me të cilën po ndeshemi, të arrijmë të mos e lejojmë të përshkallëzohet dhe të rrezikojë shëndetin dhe jetën e qytetarëve tanë.

Shpresoj dhe besoj në përgjegjshmërinë e të gjithëve, të çdo përfaqësuesi të institucioneve tona të shëndetit dhe të gjithë institucioneve të tjera të angazhuara në këtë plan, por edhe të çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë.” ka thënë Meta.

Top Channel