Të gjithë e kemi një koleg në punë që është më i dalluar, më energjik, më i motivuar si dhe që posedon tipare që e veçojnë nga të tjerët.

Në një studim të realizuar me anë të një pyetësori u intervistuan më shumë se 500 udhëheqës biznesi, të cilët u pyetën se si e dallojnë një punonjës nga të tjerët. Hulumtuesit kërkuan ta dinë pse disa njerëz janë më të suksesshëm se të tjerët në vendin e punës. Përgjigjet ishin mjaft befasuese pasi udhëheqësit zgjodhën “personalitetin” si arsyen kryesore.

Posaçërisht, 78% e udhëheqësve theksuan se personaliteti është mënyra që veçon punonjësit e dalluar, shifër kjo më e lartë se sa përshtatja kulturore me 53% si dhe më e lartë se sa shkathtësitë e punonjësit 39%. Personaliteti përbëhet nga një sërë preferencash dhe prirjesh të qëndrueshme, e që janë faktorë mjaft të rëndësishëm pasi paraqesin mënyrën e qasjes sonë karshi botës.
Tiparet e personalitetit formohen në një moshë të re dhe zhvillohen në fazat e para të moshës madhore. Gjatë jetës suaj ju pësoni shumë ndryshime, mirëpo personaliteti nuk është njëra prej tyre.

Akademi Pune ju sjell disa nga tiparet që kanë punonjësit e dalluar:

Gjithmonë kërkojnë më shumë

Punonjësit e dalluar kanë bindjet e tyre se gjithmonë mund të arrijnë rezultate më të mira. Pavarësisht rezultateve pozitive që i arrijnë, punonjësit e dalluar janë të uritur për përmirësim, pasi që kanë mentalitetin fitues dhe bindjen se kësisoj kanë arritje më të mëdha si personale ashtu edhe profesionale.

I menaxhojnë me qetësi mosmarrëveshjet

Ata reagojnë me maturi në raste mosmarrëveshjesh me kolegët në punë. Gjithashtu vetëpërmbahen përderisa sqarojnë pikëpamjet dhe idetë e tyre. Nuk reagojnë me vrull në ra st se ndihen të rrezikuar, i evitojnë pengesat me lehtësi pasi që në mendjen e tyre kanë qëllime të mëdha.

Kontrollojnë egon e tyre

Punonjësit në fjalë nuk i kushtojnë shumë rëndësi egos së tyre, sidomos kur është fjala për përmirësimin e punës në grup. Ata janë në gjendje ta pranojnë gabimin si dhe të gatshëm ta vazhdojnë punën duke përkrahur idenë e tjetrit. Kësisoj, ruhet edhe harmonia brenda ekipit të punës.

Janë të përgjegjshëm

Tipari që e veçon një punonjës të dalluar është marrja e përgjegjësisë kur është nevoja. Ata e zotërojnë punën e tyre, vendimet e tyre, si dhe marrin përgjegjësi për rezultatet e punës së tyre, qoftë ato pozitive apo negative.

Janë të guximshëm

Pa dyshim se një punonjësi të dalluar nuk mund t’i mungojë guximi dhe vetëbesimi. Punonjësit e dalluar nuk hezitojnë t’i shprehin mendimet e tyre, të bëjnë pyetje apo edhe ta sfidojnë ndonjë vendim të marrë nga anëtarët e tjerë. Kësisoj, ata tregojnë se sa të guximshëm janë dhe se janë të gatshëm që në të ardhmen të marrin vendime të rëndësishme për kompaninë.

Top Channel