Karriget e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, i zunë ambasadorët, vendet e të cilës përmes konferencës së donatorëve mblodhën 1.15 miliard Euro.

“Dua që përmes këtij Komiteti të siguroj që paratë të shkojnë ku duhet. Do të ketë njerëz në terren që do të shohin gjërat teksa shkojnë në vendin e duhur. Duhet të synojmë vetëm suksesin, dështimi nuk duhet të bëjë pjesë në fjalorin e Rindërtimit. Synimi është të kthejmë nën çati ata që humbën strehën, të festojnë vitin e ri në shtëpi. Sikurse duan që Rindërtimi, të kthehet në një rast studimor dhe model për të tjerët”, shprehet Edi Rama.

Pritshmëritë tona tha kreu delegacionit të BE në Tiranë Luigi Soreca, u tejkaluan tani të kalojmë në veprat konkrete.

“Të sigurohemi që të gjitha përpjekjet e bëra do të shpaguhen, çdo gjë të jetë transparente. Kemi diskutuar me qeverinë, për t’u siguruar që jo vetëm të jemi të shpejtë në rezultate, por dhe efektivë. Kjo është një mundësi e re për Shqipërinë. Ne do të kemi një strukturë ekspertësh në komitetin shtetëror të ndërtimit”, tha Soreca.

Edhe për ambasadoren amerikane Yuri Kim, transparenca ishte krye-fjala e komentit të saj.

“Është kënaqësi për ne që po shikojmë që ju po organizoheni brenda vetes për të realizuar atë çfarë juve thatë që duhet të jetë një proces transparent, llogaridhënës dhe rezultativ. Do të vazhdojmë të jemi krah jush, do të ofrojmë ndihmën teknike që do t’ju nevojitet për t’ju siguruar që donacionet nga vende të ndryshme nga e gjithë bota, përfshirë dhe donacionet tona do të shpenzohen në mënyrë të duhur në përfitim të qytetarëve shqiptarë”.

Në një kohë kur të gjithë kolegët e tij i mëshuan transparencës, ambasadori Turqisë në Tiranë Murat Ahmet Yoruk, foli me terma konkret se kur ndihma e Turqisë do të materializohet në terren.

“Presidenti Erdogan ka premtuar ndërtimin e 500 banesave për vëllezërit tanë shqiptarë. Master-plani i projektit është gati, duhet të firmo-set, pastaj të kalohet në procedurat e tjera. Brenda këtij muaji autoritetet turke do të vijnë në Shqipëri për procedurat dhe në përfundim të tyre të fillohet me ndërtimin në fund të muajit mars”./Muhamed Veliu/

Top Channel