Qeveria ka hapur tenderin për të përzgjedhur ata që do të jenë pronarët e bursës shqiptare të energjisë.

Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e financave u kanë bërë thirrje institucioneve dhe bizneseve të interesuara që të paraqesin ofertat për tu bërë aksionerë të bursës brenda datës 27 prill të këtij viti.

Qeveria ka vendosur që struktura e pronarëve të bursës të jetë e përzierë. Vetë shteti shqiptar do të mbajë 35 për qind të aksioneve përmes operatorit të transmetimit. Operatorët e transmetimeve të vendeve të tjera mund të kenë 20.5 për qind të aksioneve, ndërsa institucionet financiare 10 për qind.

Pjesa tjetër e aksioneve do të jetë e ndarë mes kompanive të huaja private që kanë eksperiencë në menaxhimin e bursave dhe bizneseve shqiptare që merren me tregtim energjie.

Sipas vendimit të qeverisë, bursa shqiptare e energjisë do të ketë një kapital fillestar 250 milionë lekë ose mbi 2 milionë euro. Kjo platformë do të mundësojë që energjia të tregtohet çdo ditë me çmim transparent sipas kërkesë-ofertës duke i dhënë fund abuzimit me tenderat publikë.

Aktualisht energjia në Shqipëri tregtohet vetëm përmes tenderave që bëjnë kompanitë shtetërore. Kesh shet edhe ble energji nga privatët për optimizmin ekonomik të kaskadës, ndërsa OSHEE vetëm blen. Shpesh ky mekanizëm ka çuar në situata paradoksi, ku kesh u shet privatëve me çmim të ulët, dhe këta të fund të njëjtën energji ja shesin operatorit të shpërndarjes me çmim më të lartë. Krijimi i bursës heq përfundimisht tenderat e energjisë duke e shndërruar atë si çdo produkt tjetër që shitet dhe blihet në treg.

Top Channel