Romani “Extra Time” (vetja jote e dytë) me autor Durim Taçin është një lëshim i vetes nga konvencionalja, shtegtim ndjellës i transhendentes, provokim i nënvetëdijes jo në një vijimësi, por në sekuenca jovijore. “Extra Time” është një kohë plus, por edhe superiore në cilësi. Është rasti i volitshëm. Në një të tillë, të shkruarit, të jetuarit dhe të përjetuarit janë një, kështu ati e biri, po ashtu shkrimtari e lexuesi.

Duket sikur autori njëherësh shkruan, ndërsa merr ashensorin, rregullon ulësen e makinës, vendos adresën gabim në navigator. Duket sikur veprimi shkruhet, botohet e lexohet aty për aty. Veta e dytë është e rrallë për letërsinë shqipe. Edhe për komunikimin e zakonshëm gojor. Në këtë vetvetore të ngushtë, autori dhe lexuesi këmbehen pa u kujtuar. Ndërlexohen. Njohin më tej vetveten. Do të takohesh me lexuesin e paslibrit qysh në mes të tij. Është pjesë e familjes, nënvetëdijes së saj. Autori nuk ka një lozhë të rezervuar, por është aq rrethanor e i mesgjetur sa çuditesh. Konkretizohet skajshëm. Në ballon e madhe me maska, ai do të demaskojë vetvetet. Del pa zhurmë nga koha e njerëzve të ngutshëm. Ngjarje të largëta të viteve të ndryshme rrjedhin krejt lirshëm, sikurse kalimi nga njëra te tjetra të ndodh aq natyrshëm, pa ndryshim toni, sinjalistike, grafike, stilistike. Edhe për kryeradhë pothuajse s’është nevoja. Nganjëherë rrëfimi duket sikur është përpjekja e parë njerëzore për të sjellë ndodhi e përjetime që vijnë varg e vijnë ndryshe nga zinxhiri i mëvonshëm shkakësor. Është festa e Pashkëve. Shkohet drejt Ferrit. Dhe nuk ka Pashkë pa gjak. Por as pa ringjallje. Të shtyn jeta, të shkruen vdekja, të kthen ringjallja. Autori thotë se në ditët e sotme e tashmja po na ikën. Taçi theksoi se librin e ka rishkruar pasi procesi i përkthimit sipas tij ka një linjë interesante drejt kuptimit. “Libri është po i njëjtë, ndërsa çështja e gjuhëve është çështje e regjistrave. Përvojat nuk janë një arkivë, janë momente të së tashmes ku ne fillojmë të reflektojmë. Është një e tashme që po na ikën. Eksperienca është dialogu që bëjmë në një moment të dhënë, një mënyrë reflektimi. Në momentin që bindesh që ke humbur dhe vendos një kufi atëherë fillon edhe habia”, thotë Durim Taçi për Vitrinën e Librit. Libri provokon një vepër arti tek ne, ka gjithmonë doza individualiteti por nganjëherë këto kanë potencë të reflektohen tek ne si zbuluese, si shtyrëse të disa kufijve, si çliruese.

Të dhëna për librin

EXTRA TIME

Autori: Durim Taci

ISBN: 9789928222886

Shtëpia botuese: Botimet Fishta

Viti i publikimit: 2019

Numri i Faqeve: 267

Top Channel