Stoltenberg: NATO aktualisht ofron mbështetje për Turqinë

29/02/2020 05:10

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoletenberg ka deklaruar se “NATO aktualisht ofron mbështetje për Turqinë. Aleatët po shohin se çfarë mund të bëhet më tepër për Turqinë”. Në një deklaratë për media pas mbledhjes së zhvilluar me kërkesë të Turqisë për Sirinë në selinë e NATO-s në Bruksel, Stoltenberg rikujtoi se mbrëmë zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu lidhur me zhvillimet në Siri dhe se Çavuşoğlu kërkoi organizimin e mbledhjes së Këshillit në ditën e sotme.

Stoltenberg tha se Turqia në takimin e NATO-s informoi aleatët lidhur me situatën serioze të sigurisë në Siri. “Aleatët kanë përcjellë ngushëllimet për ushtarët që humbën jetën si pasojë e sulmit në Idlib dhe shprehën solidarizim të plotë me Turqinë. Aleatët dënojnë sulmet që vazhdojnë në Idlib nga regjimi i Sirisë dhe Rusia si dhe i bëjnë thirrje që të ndalojnë këto sulme, të veprojnë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të mbështesin zgjidhjen paqësore të OKB-së.

Duhet t’i jepet fund kësaj situate të rrezikshme dhe duhet një kthim emergjent në armëpushimin e arritur në vitin 2018. Duhet të parandalohet përkeqësimi i situatës në rajon dhe të sigurohet transporti për të bllokuarit në Idlib”, tha kreu i NATO-s.

“Kemi shprehur solidarizimin tonë me Turqinë”
“Turqia është një aleat shumë i çmuar i NATO-s dhe në të njëjtën kohë është aleati i NATO-s që është prekur më thellë nga konflikti në Siri. Ajo është përballur me një numër të madh të sulmeve terroriste dhe ka hapur dyert e saj për miliona refugjatë”, tha Stoltenberg duke shtuar se në takimin e mbajtur sot kanë shprehur solidarizimin e tyre me Turqinë.

Duke treguar si shembull “forcimin e mbrojtjes ajrore”, Stoltenberg tha se NATO vazhdon të ndihmojë në mënyra të ndryshme Turqinë dhe se aleanca do të vazhdojë të ndjekë situatën në kufirin e saj juglindor. Ndërsa në pyetjen lidhur me pritshmëritë e Turqisë për mbështetje konkrete nga aleatët perëndimorë, Stoltenberg vlerësoi se “NATO aktualisht ofron mbështetje për Turqinë. Aleatët po shohin se çfarë mund të bëhet më tepër për Turqinë”.

“Takimi i zhvilluar sot tregon në mënyrë të hapur solidarizimin e NATO-s dhe mbështetjen e aleatëve ndaj Turqisë”, tha Stoltenberg duke nënvizuar se Turqia informon rregullisht aleatët e NATO-s lidhur me situatën në Siri. Stoltenberg u bëri thirrje Rusisë dhe regjimit të Asadit që të përfshihen në zgjidhjen politike nën udhëheqjen e OKB-së./AA

Top Channel