Moti i keq shkaktoi vonesa në nisjen e trageteve në portin e Durrësit.

Dy tragetet e linjës Durrës – Bari, të cilët nuk mundën të lundronin natën e kaluar drejt destinacionit për shkak të erës së fortë me shpejtësi deri në 20 m/sek, u nisën sot rreth orës 07:30 në mëngjes nga porti i Durrësit.

Era e fuqishme gjatë natës së kaluar, vonoi për rreth katër orë dhe tragetin “AF Claudia”, i cili u nis drejt Ankonës pas një incidenti, brenda basenit portual ku gjatë manovrave për të dalë u spostua nga era në drejtim të dy trageteve të linjës së Barit të ankoruar në kalatë.

Ndërkohë, dy tragetet e nisur nga Bari mbrëmjen e kaluar, kanë mbërritur në portin e Durrësit rreth orës 8:30 të mëngjesit të sotëm.

Moti i paqëndrueshëm nuk ka ndikuar në përpunimin e anijeve tregtare. Ndërsa në Vlorë nuk kane dale sot për lundrim vetem anijet e vogla dhe peshkarexhat. në vendet malore kanë nisur reshjet e dëborës. Në Bulqizë, Dukagjin, Theth dhe Vermosh nuk raportohen probleme. Reshje dëborë janë regjistruar në malësitë e Elbasanit, Librazhdit, Gramshit e Prrenjasit.

Mbulohen nga dëbora Gjinari e Zanalina në Elbasan. Mungon energjia elektrike në fshatrat e Librazhdit dhe Prrenjasit për shkak edhe të erës. Në Librazhd reshje të dendura dëbore në Steblevë,  trashësia arrin 30 cm. Rruga Librazhd Peshkopi kalohet me zinxhirë.

Reshjet e borës në qarkun e Korçës kanë filluar prej orëve të para të mëngjesit në zonat e larta malore, ndërsa në qytet ka patur reshje shiu. Sipas zyrtareve të autoritetit lokal rrugor, gjatë mëngjesit ka patur probleme segmenti i Dardhës, nga ku bora ka shkuar 5 deri në 20 cm. Ndërsa në kryeqytet gjatë mëngjesit ra edhe  breshër.

Top Channel