Karantina do të jetë në Durrës/ Shtëpia e pushimit do të shërbejë për të izoluar rastet me koronavirus

27/02/2020 12:48

Kryeministri Rama ka mbledhur Komitetin e sigurisë kombëtare në lidhje me situatën e Koronavirusit në vendin tonë ku jo vetëm ka konfirmuar publikisht se ende nuk ka asnjë rast në Shqipëri, por një kohësisht ka publikuar edhe vendin ku do të jetë karantina në momentin që do të regjistrohet rasti i parë i prekur nga Covid 19.

“Në rastin e parë që do të kemi nevojën e karantinës, kemi caktuar të ngrihet në  shtëpinë e pushimit të ministrisë së Mbrojtjes në Durrës”, tha Rama.

“Është fakt se nga momenti i parë janë marrë masa; janë përcaktuar protokolle dhe janë shpërndarë udhëzues për gjurmimin e rasteve që në pikën kufitare sipas OBSH-së, janë trajnuar 800 profesionistë të shëndetit në të gjitha nivelet e sistemit tonë shëndetësor. Janë dyfishuar ekipet e shëndetësisë në pikat kufitarë ajrore dhe detare. Monitorimi i pasagjerëve kryhet nga ekipi shëndetësor, si masë e shtuar pas konfirmimit në Itali. Në aeroport dhe në porte gjenden karantina të përkohshme, zona izolimi. Fond 1 milion dollar për rritjen e stokut të mjeteve mbrojtëse. Është për të ardhur keq që ndërkohë që kudo bëhet politikë , ka debate, askund tjetër përveçse në këtë vendin tonë të vogël nuk ndodh që palë të caktuara politike, dhe individë të zëshëm me mandat politik të bëjnë ato që kanë bërë gjatë këtyre ditëve duke u pëpjekur të përhapin panik dhe duke dezinformuar qoftë përsa i përket vendit të përcaktuar për karantinën qoftë përsa i përket kushteve dhe impaktit të një zonë te karaktinuar për popullatën rreth e rrotull. Askund, në asnjë pikë të globit nuk ndodh që karantinat të ndërtohen nëpër male, pyje apo fasilitete larg zonave të banuara; kjo nuk ekziston, kjo është një shpikje në vazhdën e ushqyerjes së infodemisë. Mbi 500 thirrje në ditë do përballojë Urgjenca Kombëtare. Personat që vijnë nga vendet e prekura të telefonojnë në 127, nëse ndjejnë një shqetësim pa u drejtuar në spital.”

Kryeministri ka garantuar se çdo hap po ndërmerret në bazë të rekomandimeve të OBSH. Duke iu referuar edhe vendeve të prekura kryeministri Rama ka kërkuar që qytetaret të cilët nuk i kanë të domosdoshme lëvizjet drejt vendeve të prekura të mund t’i shmangin ato.

Por ndërkaq Rama u ka kërkuar qytetarëve të ruajnë qetësinë edhe nëse do të prekemi nga virusi, i cili tanimë është shumë pranë nesh dhe të mos çoroditen duke përhapur panik.

Rama ftoi qytetaret që të ndjekin vetëm informacionet zyrtare dhe jo ato që shpërndahen nëpër rrjete sociale ku në pjesën më të madhe nuk janë të verteta, tha ai.

Top Channel