Autori i bestseller mbi Steve Jobs, Albert Einstein dhe Benjamin Franklin përmes kësaj biografie të re dhe emocionuese na sjell në jetë Leonardo da Vincin. Duke marrë prej mijra faqeve nga blloqet e shënimeve të Leonardo-s dhe përmes zbulimeve të reja për jetën dhe punën e tij, Walter Isaacson thur një narrativë e cila lidh artin me shkencën. Ai tregon se si gjenialiteti i Leonardos, bazohej mbi aftësi të cilat ne mund t’i përmirësojmë te vetja jonë, si p.sh., kureshtja e zjarrtë, vëzhgimi i vëmendshëm dhe një imagjinatë kaq lozonjare saqë flirtonte me fantazinë.

Pasi të lexoni këtë libër do frymëzoheni e do kuptoni që dija është shumë pranë nesh, në gjërat e vogla që na rrethojnë, në grimcat e rëndomta të cilat nëse vrojtohen me vëmendje shpalosen si kryevepra. Do zbuloni se i gjithë kozmosi gjendet brenda vetë njeriut; i gjithë krijimi në krahët e një pilivese; e gjithë natyra në gjuhën e një qukapiku; shpirti i njeriut në sytë e një femre; vetë hyjnia në tablotë e një dore mëngjarashe si ajo e Leonardos.

Ky libër refuzon ta quajë gjeni, por e shpalos Leonardon ashtu siç ai ishte në të vërtetë, një njeri i pashkolluar, me një aftësi vrojtuese të jashtëzakonshme, me etje për të kuptuar misteret e universit, dhe pikërisht këtu gjendet gjenialiteti i Leonardos, i cili me qasjen e tij kureshtare arriti të krijojë tablotë më të shquara të botës, bukuritë e të cilave udhëtojnë e rezistojnë përtej çdo kohe e hapësire, duke na dëshmuar bukurinë dhe madhështinë krijuese të mendjes njerëzore.

Një bibliotekë e tërë brenda një libri të vetëm. Këtë mund ta arrinte vetëm Walter Isaacson, profesor historie, drejtor e kryeredaktor i CNN dhe Times, autor i biografive të tjera si Albert Einstein, Benjamin Franklin, Henry Kissinger, Steve Jobs, dhe së fundmi Leonardo Da Vinci, të cilin pata privilegjin ta shqipëroja, dhe përmes shtëpisë botuese MINERVA të shtohej si një pasuri e jashtëzakonshme në letrat shqipe edhe për lexuesit shqiptarë.

Trashëgimia e Leonardos na tregon se ai mund të bënte gjithçka. Ai do krijonte dy pikturat më të famshme të historisë, Darka e Fundit dhe Mona Lisa., por në mendjen e tij, ai ishte po kaq i talentuar si njeri i shkencës dhe inxhinjerisë. Me një pasion të gjallë por edhe të fiksuar, ai kreu studime që përbënin risi në anatomi, mbi fosilet, zogjtë, mbi zemrën, makineritë fluturuese, optikën, botanikën, gjeologjinë, rrjedhën e ujit, dhe armatimet. Duke u bërë kështu prototipi i Njeriut të Rilindjes, një frymëzim për të gjithë ata të cilët besojnë se “veprat e pafundme të natyrës” siç i quante ai, janë të thurura së bashku në një harmoni të mbushur me motive të mrekullueshme. Aftësia e tij për të ndërthurur artin dhe shkencën, e shndërruar në ikonë përmes vizatimit të tij të një njeriu me përmasa perfekte, krahë hapur brenda një rrethi e katrori, i njohur si Njeriu Vitruvian, e bëri atë gjeniun më krijues të historisë.

Teksa plakej, ai vazhdoi me zbulimet e tij shkencore jo për t’i shërbyer artit por i udhëhequr nga një instinkt ngazëllyes për të kuptuar sa më mirë bukuritë e thella të natyrës. Aftësia për të lidhur disiplina të ndryshme si arti dhe shkenca, shkencat shoqërore dhe teknologjia, përbëjnë çelësin e risisë, imagjinatës, dhe gjenialitetit.

Aftësia e tij për të zbutur vijën ndarëse midis realitetit dhe fantazisë, ashtu si edhe teknika e sfumaturës për zbutjen e vijave në pikturë, ishte çelësi i krijimtarisë së tij. Aftësia pa imagjinatë është shterpë. Leonardo dinte si të mblesëronte vëzhgimin me imagjinatën, ndaj edhe mbetet novatori më i madh i historisë.

Ndonëse në përgjithësi ai konsiderohej nga bashkëkohësit e tij si miqësor dhe i sjellshëm, kishte raste kur Leonardo ishte i zymtë dhe i trazuar. Shënimet dhe vizatimet e tij janë dritare e qartë e mendjes së tij përndezëze, imagjinare, manjake, e me raste edhe e ngazëllyer. Nëse do kishte qenë student në fillim të shekullit të njëzetë e një, do i kishin dhënë një recetë me ilaçe për të stabilizuar luhatjet e humorit dhe çrregullimin e mungesës së vëmendjes, e shkruan me humor Isaacson. Askush nuk duhet t’i bashkohet opinionistëve të cilët e konsiderojnë atë si një artist gjeni i trazuar, për të besuar se ne jemi me fat që Leonardo ishte i lirë të përdorte veset e tij për të masakruar demonët e tij e për të zgjuar dragonjtë.

 

Top Channel