Në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup është konstatuar rasti i parë me koronavirus, bëjnë të ditur burime të kësaj klinike

Jozyrtarisht nënvizohet se personi i përfshirë nga kjo sëmundje është një shtetas i kthyer nga Italia, dhe që ditë më parë ishte lajmëruar në Klinikën Infektive, përcjell INA. Kryeministri teknik Oliver Spasovski, ministri i shëndetësisë Venko Filipçe dhe Zharko Karaxhovski nga Instituti i Shëndetit Publik pritet që të bëjnë publik këtë rast të parë të koronavirusit në Maqedoninë e Veriut. Në dy rastet e tjera pacientët e ardhur nga Italia kishin rezultuar negativisht.
Kryeministri teknik, Oliver Spasovski konfirmoi rastin e parë të koronavirusit në Maqedoninë e Veriut, përcjell INA.

“Sot është vërtetuar rasti i parë me korona virus. Pacienti është pranuar dhe trajtuar në përputhje me të gjitha protokollet. Janë ndërmarrë të gjitha masat. Të gjitha shërbimet shtetërore janë në gatishmëri për të vepruar në këto rrethanat e krijuar. Nuk ka arsye për panikë, kemi vendosur kontroll dhe sistemi ynë është aktiv. Të gjitha masat që janë ndërmarrë janë në përputhje me protokollet për Kalojmë në fazën e dytë për tu ballafaquar me këtë gjendje. Apelojmë që qytetarët të ndjekin dhe respektojnë rekomandimet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, pasi që ato janë në përputhje me OBSH.”, theksoi kryeministri Spasovski.

Sipas tij, institucionet janë në gatishmëri dhe kemi kuadrin e duhur që po ndjek situatën. “Mirë është që kemi vepruar në kohë dhe të ballafaqohemi me këtë sëmundje. Të mos sillemi në mënyrë të papërgjegjshme nëpër rrjetet sociale dhe të shpërndahen spekulime që nuk janë në interes të qytetarëve dhe të vendit”, theksoi Spasovski. Ai tha se në përputhje me të gjitha masat, shtabi i krizës do të marrë vendim se a do të anulohen tubimet publike apo manifestime të tjera.

Top Channel