Dikur nuk ndalej vala e punëtorëve migrantë nga vendet lindore të BE ndërsa tani duket se kahja po ndryshon. Në Poloni, po kthehen më shumë qytetarë në vendlindje, se sa po largohen prej vendit.

15 vite më parë u shënua raundi i parë i madh i zgjerimit të BE me vendet e evropës lindore dhe qendrore. Dhe pak më vonë, banorët e këtyre vendeve ishin të lirë të jetonin dhe punonin në BE, e kjo shkaktoi jo pak debate tek vendet e vjetra të unionit. Veçanërisht Gjermania dhe Austria ishin kundër hapjes së plotë të tregut të punës me anëtarët e rinj nga frika e pasojave në tregun e punës dhe ulja e rrogave. Por jo të gjithë vendet anëtare të BE kishin frikë atëherë nga dyndja e punëtorëve lindorë që do t’u merrnin vendin e punës vendasve apo do punonin për më pak rrogë. Suedia, Irlanda e Britania e Madhe ishin vendet e para, që i hapën tregjet e tyre menjëherë me anëtarësimin e vendeve europianolindore.

Kurse Gjermania e hapi e fundit tregun e punës për 8 anëtarët e rinj. Pas Brexitit, situata ka ndryshuar në Britani dhe shumë punëtorë po vendosin të kthehen në vendet e tyre. Por në anën tjetër, vendet e evropës lindore po ndryshojnë po ashtu, duke u bërë më tërheqëse. Polonia por edhe Çekia, vitet e fundit kanë shënuar histori suksesi ekonomik.

Kjo ka çuar në rritje pagash dhe ulje të papunësisë që janë faktorë kryesorë që joshin emigrantët e larguar të kthehen në vendlindje. Dhe për herë të parë në më shumë se 15 vite anëtarësim në BE, po shënohet një trend i kthimit të emigrantëve në vendet e tyre.  Në 2019, janë kthyer më shumë polakë në vend nga sa janë larguar. Dhe ky, është një lajm jo i mirë për Gjermaninë, të cilës i nevojiten më shumë se 1 milionë forca punëtore për të zënë vendet bosh të punës. Nga 1 marsi, gjermania hap dyert për fuqinë punëtore të kualifikuar, me një ligj të posaçëm, por sipas ekspertëve, ajo nuk mund të presë më një fluks të krahut të lirë të punës nga vendet e evropës lindore.

Top Channel