Neni 91 i Kushtetutës së Kosovës, e parasheh edhe çështjen e shkarkimit të presidentit.

“Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”, thuhet në Kushtetutë. Procedura për shkarkimin e presidentit të Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës, mund të iniciohet nga një e treta e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim. Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë ditësh nga marrja e peticionit. Procedurat e shkarkimit ndërlidhen me implikimet e tij të jashtëligjshme si dhe “nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”, kuvendi mund të shkarkojë presidentin me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të tij.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me implikimet kushtetuese të shkëmbimit të letrave të 19 prillit 2013, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm z. Hashim Thaçi dhe sekretarit të përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, z. Anders Fogh Rasmussen.

Përmes kësaj marrëveshjeje kryeministri i atëhershëm Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.

Kryeministri Kurti, në shkresën, dërguar kryetares Osmani, ka potencuar faktin se pas pranimit zyrtar të detyrës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga stafi i Zyrës së kryeministrit që, pa vonesë, të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si edhe implikimet e saj kushtetuese, përkatësisht në lidhje me kërkesat kushtetuese të përcaktuara me nenin 20 [Bartja e sovranitetit], nenin 18 [Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare] dhe nenin 91 [Shkarkimi i presidentit].

“Qëllimi i kësaj shkrese është që t’ju njoftoj juve, në cilësinë tuaj si kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për ekzistencën e marrëveshjes sekrete, si edhe për rezultatet e analizës së Zyrës së kryeministrit.

Për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm, dua të jem sa më i qartë: Unë, si kryeministër, nuk shpreh asnjë qëndrim për ose kundër marrëveshjes sekrete, për sa i përket përmbajtjes së saj. Unë, si kryeministër, e kuptoj dhe e vlerësoj thellësisht rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s për sigurimin e plotë të integritetit territorial të Republikës dhe të qytetarëve të saj. Dhe unë, si kryeministër, i garantoj Kuvendit, si edhe të gjithë qytetarëve të Republikës se nuk do të ndërmarr asnjë hap që do të rrezikonte këtë aleancë të domosdoshme për sigurinë e vendit tonë”, thuhet në shkresën e kryeministrit Kurti.

Kjo shkresë i është dërguar presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe kryeprokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezi.

 

Top Channel