Gruaja e prekur nga Koronavirusi, sjell në jetë beben pa probleme

26/02/2020 19:57

12 të vdekur, 400 të infektuar përfshirë gjashtë fëmijë në Lombardi: bilanci i koronavirusit në Italinë fqinj tregon se infektimet po shtohen, ndërsa shifrat e jetëve të humbura, fatmirësisht për momentin, kanë ndalur në vend. Frika është e madhe, por edhe në mesin e saj, lajmet e mira nuk mungojnë.

Një grua shtatzëne e prekur nga koronavirusi në Piacenza  solli në jetë pa probleme foshnjën e saj, e cila rezulton negative ndaj virusit. Nëna, vinte nga Lombardia. Një anije turistike italiane ndërkohë, Msc Meraviglia, është refuzuar në dy porte të Karaibeve, pasi në bordin e saj, një pjesëtar i ekuipazhit paraqet probleme shëndetësore. Në anije ka mbi 4.500 pasagjerë, ndërsa ekuipazhi numëron 1600 vetë. Frika që po ngjall Italia tashmë në Europë e në botë, nuk mund të quhet ë pajustifikuar.

Pjesa dërrmuese e rasteve që po shfaqen gjithmonë e më shumë në kontinentin e vjetër, kishin udhëtuar drejt saj. Finlanda regjistroi rastin e dytë të infektimit; bëhet fjalë për një grua e cila kishte qenë pikërisht në Itali. Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë deklaroi një ditë më parë se rritja e papritur e numrit të të prekurve me koronavirus në Itali, Iran dhe Korenë e Jugut është “thellësisht shqetësuese”, por sipas tij situata është ende nën kontroll për të mos u shndërruar në pandemi.

Por Tedros Adhanom Ghebreyesus sqaroi ndërkohë se infeksione të lidhura me Iranin janë konfirmuar në Bahren, Irak, Kuvajt dhe Oman, ndërsa raste të lidhura me Italinë janë gjetur në Algjeri, Austri, Kroaci, Gjermani, Spanjë dhe Zvicër. Për herë të parë të martën, numri i rasteve të reja të raportuara zyrtarisht jashtë Kinës, që përfshin 37 vende arriti në 427, duke tejkaluar numrin e rasteve të reja të raportuara nga Pekini, gjithsej 411. Pavarësisht kësaj, kreu i OBSH-së vazhdon të këmbëngulë se “Nuk duhet të jemi tejet të paduruar për të shpallur pandeminë pa një analizë të kujdesshme e kthjellët të fakteve”. Ne 30 janar, OBSH-ja shpalli situatën e emergjencës botërore lidhur me shëndetin, niveli më i lartë i alarmit.

Top Channel