Bayern Munich humbet liderin e saj në momentin më vendimtar të sezonit. Robert Lewandowski është dëmtuar në sfidën e parë të raundit të 1/8-ave të Champions League ndaj Chelsea-t sfidë në të cilën shënoi edhe një gol dhe do të qëndrojë 4 javë jashtë fushave të futbollit.

“Në ndeshjen e djeshme Chelsea-Bayern Munich 0-3, Robert Lewandowski pësoi frakturë në tibia në gjurin e majtë. Dëmtimi u gjet pas një ekzaminimi nga mjeku i skuadrës Hans Vilhelm Muller pas kthimit nga Londra. Ai do të qëndrojë jashtë fushave për të paktën 4 javë”, shkruhet në komunikatën e Bayern Munich.

Lewandowski humbet kështu takimin e kthimit ndaj Chelsea-t në Champions, sfidën çerekfinale të Kupës së Gjermanisë ndaj Hoffenheim dhe 3 ndeshje të Bundesligës. Leva deri në këto momente ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm teksa ka arritur të realizojë 39 gola me Bayern Munich në të gjitha kompeticionet.

Top Channel