Top Story/ Abuzimi i mjekëve, mbushin recetën me suplemente dhe nuk ua shpjegojnë pacientëve

25/02/2020 21:55

Ne do të shohim një recetë mjekësore, ku pjesën më të madhe e zënë suplementet dhe shumë pak medikamentet. Top Story ka siguruar disa nga recetat mjekësore.

Duke qenë se nuk kemi si qëllim që të demaskojmë mjekun në veçanti por fenomenin, do të mbulojmë emrin e mjekut që ka lëshuar recetën. Në të njëjtën kohë për të ruajtur identitetin e pacientit nuk do të japim as emrin e tij. Ajo që ka rëndësi për ne është fakti se si recetat mjekësore tejmbushen me suplemente. Madje ka raste kur një recetë lëshohet vetëm për suplement. Kjo që jeni duke parë në këto momente është një recetë për një fëmijë e cila siç e shihni ka të shkruar vetëm një suplement. Vlera e këtij suplementi është 1700 lekë.

“Kjo është në bazë të gjykimit personal dhe të gjendjes së të sëmurit. Pastaj diagnoza është ajo që vendos, por përgjithësisht nuk ka diagnoza që të marrësh vetëm integratorin pa bërë trajtimin bazë të të sëmudjes”, na tregon Bledi Pistolja, mjek.

Një tjetër recetë që lëshohet më së shumti në stinën e dimrit është ajo që lidhet me virozat. Kjo është edhe receta tipike ku shkruhen më së shumti suplementet. Kjo që jeni duke parë është një recetë me tre suplemente ku vlera e tyre është 3300 lekë.

“Në botë përdorimi i suplementeve nuk është kaq i shpeshtë sa është i shoqëruar me receta në Shqipëri. Nëse mjekët në Shqipëri kanë dhënë medikamente dhe shoqëruar kanë dhënë dhe suplemente, duke menduar se mund të rrisin imunitetin, në botë është shumë më i kufizuar përdorimi i suplementeve ushqimore”, tregon Brikena Xhixho, dietologe
Do të analizojmë një sërë recetash për të parë paradoksin e trajtimit që ndodh në vendin tonë. Këtu nuk duam që të keqkuptohen ato raste kur në të vërtetë ka nevojë për suplemente të caktuara siç janë gratë shtatzënë apo fëmijët deri në moshën 2 vjeç. Gjithsesi le të shohin një tjetër recetë që i është lëshuar një pacienti me tiroide. Vlera totale financiare e recetës është 1400 lekë prej të cilave 1200 ka kushtuar suplementi që në rastin konkret është dhënë për mos dëmtimin e mëlçisë.

Suplemente jepen edhe për pacientët që kanë bërë kimioterapi. Receta është lëshuar nga një mjek për një pacient me kancer. Medikamenti që do të bëjë trajtimin e vërtet ka kushtuar 980 lekë ndërsa suplementi ka kushtuar 1800 lekë.

Një recetë tjetër e një pacienti që ka problem me sistemin nervor. Mjekimi që është përshkruar tregon se medikamenti ka kushtuar 1200 lekë ndërsa suplementi ka një vlerë shumë herë më të lartë. Ai ka kushtuar 2860 lekë.

Pacienti i radhës ka patur problem me stomakun. Mjeku që ka leshur recetën i ka përshkruar dy medikamnete me vlerë 1500 lekë e ndërkohë që ka shtuar edhe një suplement në vlerën e 2800 lekëve.

“Po të analizojmë një recetë, ajo veç barit bazë mjekimi shoqërohet edhe me suplementa apo integrator të ndryshëm. Për faktin që integratorët janë kthyer në shtyllat mbajtëse të importues shpërndarëse dhe të farmacive. Ne nuk arrijmë që të finalizojmë atë që pacienti paguan më pak duke ulur çmimin e barit bazë”, tregon Diana Toma, Presidente e Urdhërit të Farmacistit.

Mund të vazhdonim të sillnim shembuj pa fund për recetat që lëshohen nga mjekët që punojnë në shtet e ku receta “fryhet” financiarisht me suplemente. Por në këtë moment Top Story do të sjellë një tjetër recetë, këtë herë e lëshuar nga një klinikë private. Pra, siç duket edhe mjekët që janë në privat nuk i kanë shpëtuar dot fenomenit të suplementeve.

Kjo që jeni duke parë është një recetë e leshur për një pacient që merr trajtim për një muaj. Për të plotësuar sasinë e barit që mjeku ka përshkruar pacienti duhet të paguaj 1200 lekë. Pra, duhen 4 kuti të tilla, që të plotësohet numri i kokrrave për një muaj nga dy në ditë. Ndërsa suplemente e përshkruara janë këto të dyja. Njëra kushton 2600 lekë, ndërsa këto dy pako me suplement kushtojnë 2800 lekë, pra 1400 lekë secila.

Në këto kushte janë pacientët që do të zhysin dorën më thellë në xhep, ndërkohë që mjekët kërkojnë të kompesojnë pagën e munguar nga shteti. Ndërsa farmacitë i shohin suplementet si një biznes fitimprurës, ku marzhi i fitimi është shumë herë më i madh sesa një medikament.

Top Channel